E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bozhuret, sa erotike!

Kur u këndua në skenën e festivalit të këngës "Kur çelin bozhuret", kompozuar nga Limoz Dizdari dhe kënduar nga Myfarete Laze, asokohe lulja mori nuanca simbolike. Ajo identifikohej me mbijetesën dhe fitoren e popullit tonë, përzier me doza të frymës komuniste. Nëse do të vazhdojmë të flasim ende me gjuhën e kohës, nëse do ta krahasonim lulen me një njeri, sigurisht që do të ishte femër. Nëse do ta shihnim nga këndvështrimi i raportit mashkull-femër, bozhuret do të ishin maksimumi motra, ose shoqja komuniste e mashkullit, jo më shumë se kaq (të paktën nëse imagjinata do të ishte vetëm thjesht sipërfaqësore). Në ditët tona, pa zgjedhur të bëjmë ndarjen klasike "pas viteve ‘90", bozhuret nuk janë më lulet-shoqe-motra. Sot ato janë simboli i lules më erotike që ofron botanika e gjithë sa kjo përmban. Përfundimi vjen në Tiranë nga fotografi suedez Edvard Koinberg. Ai i ka dashur gjithnjë lulet, e para dhjetë vitesh u dashurua më shumë me to. E dashuria e tij nuk është ajo klasikja që na sjell ndërmend ajo kënga për fëmijë "Sa i dua lulet". Ai është frymëzuar prej botanistit të njohur (gjithnjë nga Suedia), Carl Linnaeus, i cili jetoi në vitet 1707-1778. Ai përshkruante seksualitetin e bimëve dhe kishte një ide e cila në tërësi do të kristalizonte një mënyrë të re të klasifikimit të ciklit jetësor të bimëve. Botanisti numëronte thekët dhe pistilat të cilat i klasifikonte me kujdes. Kishte studiuar me qindra bimë, pra dinte çfarë fliste. Qëllimi i Linnaeus-it për të bërë një paralelizëm midis seksualitetit të bimëve dhe atij njerëzor, u bë ndoshta për të shpjeguar më qartë se si funksionon natyra me anë të imagjinatës. Mitra e bimës është toka. Kështu prej dhjetë vitesh tashmë, fotografi Edvard e përqendroi krijimtarinë e tij drejt fotografimit të luleve. Formoi një cikël veprash, duke krijuar ekspozitën të cilën e titulloi "Herbarium Amoris". Ia kushton Carl Linnaeus. "Herbarium Amoris" përmban 38 fotografi, të shoqëruara me dhjetë tekste të shkruara nga Carl Linnaeus-i apo nga autorë të tjerë që kanë folur për të. "E kam filluar turin nëpër botë me këtë ekspozitë prej katër vitesh dhe Shqipëria për momentin është stacioni i radhës", thotë Edvard, të cilit nuk i shpëton edhe ky rast për të shprehur se ekspozita është çelur për të nderuar botanistin e shquar suedez, Carl Linneaus, e sidomos për të admiruar tekstet e tij kushtuar seksualitetit të bimëve. "Kam qenë shumë i tërhequr nga mënyra poetike që ka përdorur Carl Linneaus kur ka përshkruar dhe ka ndarë bimët në gjini, po ashtu edhe kur ka përshkruar mënyrën e riprodhimit të bimëve. Për këtë arsye, kur realizova fotografitë e luleve, kam qenë shumë i frymëzuar nga tekstet e shkruara prej tij", komenton ai. Prej 25 vitesh, Edvard Koinberg, ushtron profesionin e fotografit. Nga viti 1999 është ndalur të fotografojë ekskluzivisht lulet, të cilat nuk i ndan në të bukura ose jo, por nëse do të veçonte ndonjërën prej tyre e ta quante si lulen më erotike, kthen supet dhe e dallon mes 38 fotografive që janë në ekspozitë. Drejton gishtin dhe thotë se ajo është më erotikja prej të gjithave. Kureshtja të bën të ulësh sytë, e të lexosh shpjegimin në fletushkën e bardhë: "Bozhure - Paeonia lactiflora". A thua të ketë qenë kështu edhe për botanistin që i studioi deri në imtësi? Thuhet se kur "Systema Naturae" u publikua në 1735, Linnaeus-it iu deshën vetëm pak muaj që të bëhej i famshëm në botë. Idetë e tij për seksualitetin e bimëve shkaktuan panik, por përsëri njerëzit ishin të grishur nga kjo ide. Ai u akuzua se i devijonte njerëzit e rinj me idetë e tij për jetën dashurore të bimëve. Megjithatë, kjo shërbente thjesht në shtimin e reputacionit të tij. "Mendoj se pjesa më e madhe e luleve janë erotike, por bozhurja, për mendimin tim, është më shumë se të tjerat. Sigurisht që seksualiteti i luleve ngjan me atë të njerëzve, Carl këtij krahasimi i referohej. Edhe unë mendoj se ka ngjashmëri mes luleve e njeriut por, dua ta lë disi mënjanë këtë këndvështrim, sepse lulet nuk mendojnë ndërsa ne, njerëzit, po", komenton fotografi. Kjo ndarje, megjithatë, nuk është kaq radikale për të. Edvard uron që lulet të ndikojnë në jetët e njerëzve, duke na bërë të jemi dhe të ndihemi më të mirë. Për fotografin kështu ka ndodhur. Kur e pyet në i ka parë lulet në Tiranë, qesh, ngre supet dhe thotë: "Akoma nuk kam parë të tilla". "Herbarium Amoris" u çel për herë të parë në vitin 2003, në "Bergius Garden", Stokholm. Pas kësaj, ka shëtitur në 40 vende në rreth 20 shtete të botës. "Herbarium Amoris" vjen si bashkëpunim mes Edvard Koinberg dhe Institutit Suedez. Në Shqipëri, vjen me mbështetjen e Ambasadës Suedeze dhe do të qëndrojë e hapur deri më 23 shkurt 2009. Ekspozita shëtitëse "Herbarium Amoris", pas shfaqjes në Tiranë, i ka të programuara lëvizjet e radhës. Pas Shqipërisë, ajo do të kthehet edhe një herë në shtëpi, në Suedi, e më pas në Gjermani.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›