Vlora nderon plakun e urtë
Dje, u përkujtua 165-vjetori i lindjes dhe 90-vjetori i vdekjes së patriotit të shquar, plakut të urtë Ismail Qemali. Ceremonitë kanë nisur nga Bashkia e Vlorës, ku janë vendosur kurora me lule nga kryetari i bashkisë, Shpëtim Gjika, si dhe nga shumë qytetarë të Vlorës. Më pas, është mbajtur një minutë heshtje në nderim të Ismail Bej Vlorës. Drejtori i Muzeut Historik, Skënder Spahiu, mbajti një kumtesë dhe një përmbledhje të veprimtarisë së Ismail Qemalit. Më pas, aktivitetet u zhvendosën në Muzeun e Pavarësisë, ku plaku i urtë, së bashku me patriotë të tjerë, formuan qeverinë shqiptare dhe themeluan aktin e Pavarësisë së Shqipërisë. Një ekspozitë është çelur në ambientet e këtij muzeu, ndërsa është organizuar edhe një sesion shkencor kushtuar figurës së tij. Në këtë simpozium për veprën e themeluesit të parë të shtetit shqiptar binte në sy prania e rektorit të Universitetit të Vlorës, Tanush Shaska, i cili ishte ulur në tavolinën qendrore, duke ndjekur me radhë referatet që mbanin të pranishmit. Ky prag kremtimi i ditëlindjes së 165 të Ismail Qemalit dhe përvjetorit të 90 të vdekjes së tij, ka nisur javën e aktiviteteve në qytetin e Vlorës. Qendra e tyre mbetet Muzeu i Pavarësisë. Dy ngjarjet që datojnë në muajin janar, janë parë si mjaft të volitshme për të përkujtuar emrin dhe figurën e ndritur të themeluesit të shtetit të parë shqiptar. Përveç grupeve të nxënësve që kanë qenë vizitorët e parë, mësohet se interes ka pasur edhe nga të huaj që ndodhen në qytetin e Vlorës.