E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Blendi Klosi i shkatërroi strukturat e PS, të zëvendësohet

TIRANE-Organizimi i brendshëm në Partinë Socialiste po vijon të krijojë debate mes drejtuesve të saj. Deputeti Erion Braçe ka kritikuar dje si të papërgjegjshëm sekretarin organizativ të partisë Blendi Klosi, pas një deklarate që ai ka bërë në media.

Duke sqaruar pakënaqësitë e deputetëve, për ndryshimin e zonave të delegimit, Klosi tha dje, se: Askush nuk është i pazëvendësueshëm në këtë parti, askush nuk është i pakritikueshëm dhe do të jetë puna e gjithsecilit që do të jetë kriteri bazë, vlerësimi për çdo anëtar kryesie, për çdo anëtar të Asamblesë Kombëtare dhe për çdo të zgjedhur të kësaj partie. Jemi të gjithë jo në shërbim të një grupi të caktuar, jemi të gjithë në shërbim të shumicës së popullsisë që nuk do më të qeveriset nga Sali Berisha. Më pas, kanë vijuar komentet në Facebook, nga ana e deputetit Erion Braçe. "A e dini se sot në PS nuk janë kryer zgjedhjet e drejtuesve të PS në 117 njësi vendore, ku është e organizuar partia? Pra në më shumë se 1/3 e tyre. E dini kush është përgjegjës për këtë? Sekretari Organizativ dhe drejtuesit politikë të PS-së në Kryesi, Asamble e degët lokale të PS, të ngarkuar për këto zona", - shkruan Braçe.

"Nëse flasim për 'zëvendësueshmëri' i pari i zëvendësueshëm duhet të jetë Sekretari Organizativ! Pastaj me radhë të gjithë ata drejtues politikë të çdo niveli që kanë krijuar gropa të tilla në veprimtarinë partiake, por edhe elektorale", - është shprehur Braçe.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›