E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Fullanit iu 'zgjidh gjuha' kundër Berishës, frikë për shkeljet që ka bërë

TIRANE- Deputeti socialist, Erjon Braçe lëshoi kritika të forta, dje, ndaj Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. 

Në një koment, në rrjetin social, "Facebook", Braçe shkroi se: "Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka "zgjidhur gjuhën" dhe "po e bën me dhëmbë kundër Sali Berishës! Veçanërisht për financat publike të rrënuara dhe borxhin publik jashtë çdo kufiri ligjor". "Të gjithë po pyesin 'pse tani? 'pse nuk foli kurrë sa ishte Berisha fuqiplotë?'. Po ua them unë: ka frikë për veten në raport me ligjin!", shkruan më tej, Braçe. 

"Kam përpara një raport, i zi sterr dhe që konfirmon qartësisht paligjshmërinë e veprimeve të tij: në financimin direkt të qeverisë së Sali Berishës përtej nivelit 5% të të ardhurave vjetore të qeverisë; në prishjen e kalendarit të tregtimit të bonove të thesarit, të vendosur më parë, me qëllim financimin tej planeve e në shproporcion skandaloz përgjatë gjithë vitit, të huamarrjes së qeverisë, sipas nevojave politike të saj", vuri në dukje dje, Braçe. Sipas tij, Fullanit i janë evidentuar parregullsi edhe "në prokurimet publike, të cilat janë kryer në pavarësi të plotë nga ligji i prokurimeve, por në shkelje edhe të vetë rregullores së prokurimeve të Bankës së Shqipërisë, madje, madje duke mos arkivuar dokumentacionin e plotë të çdo procedure prokurimi". Braçe tha se ky raport nxjerr paligjshmëri edhe "në pagesat marramendëse për qira të ambienteve në kushtet kur kontrata e rikonstruksionit dhe zgjerimit të ambienteve të Bankës së Shqipërisë dhe më tej hotel "Dajtit", kanë dalë jashtë çdo afati duke shkaktuar, dëm i cili nuk llogaritet në kurriz të firmave, por paguhet nga vetë banka". Braçe kritikon Fullanin edhe për rrogat marramendëse që kanë drejtuesit e bankës, apo "në dietat për udhëtime jashtë shtetit".
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›