Braçe: “30 partitë e koalicionit s’përfaqësojnë socialistët”

Deputeti Erjon Braçe reagon pas anëtarësimit në kryesinë e PS të Niko Peleshit dhe Qazim Sejdinit, si dhe gjasme-zgjerimit të koalicionit socialist. “E qëllimshme lënia e Shpëtim Gjikës jashtë kryesisë së PS-së”
Deputeti socialist i qarkut të Beratit, Erjon Braçe e cilëson tendencioz vendimin e asamblesë kombëtare të PS, për anëtarësimin në kryesinë e Partinë Socialiste të kryetarëve të bashkive Korçë dhe Elbasan, Niko Peleshi dhe Qazim Sejdini dhe lënien jashtë të Shpëtim Gjikës, kryetarit të bashkisë Vlorë. Braçe i cili braktisi punimet e Asamblesë dy ditë më parë në shenjë proteste, vazhdon të mbajë qëndrime kritike ndaj lidershipit socialist dhe shpurës së tij në selinë rozë. Pas konfrontimeve për modelin e “opozitarizmit të butë”, siç e cilëson Braçe ushtrimin e fuqisë politike nga Edi Rama dhe atë rreth debatit të delegimit të deputetëve në qarqe, ku Erjon Braçes i është kërkuar të lërë Beratin për Korçën, hartimi i listës së deputetëve në prag të zgjedhjeve, pritet të jetë beteja e radhës në plevicën socialiste. Jo më kot Erjon Braçe e cilëson “veprim paranojak” zgjerimin e kryesisë me vetëm Peleshin dhe Sejdinin, ndërsa u injorua Shpëtim Gjika, i cili siç thotë deputeti i PS, qeveris një nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë. Këtu lindin dhe dyshimet e mëdha rreth presioneve dhe shantazheve që dy kryetarët e bashkive kanë ushtruar ndaj lidershipit socialist, për të qenë protagonistë të zgjedhjeve të ardhshme, në këmbim të financimit të fushatës elektorale nga buxheti i këtyre njësive vendore. “Dy gjëra të mira u bënë këtë javë! Gjithnjë në zgjerim të përfaqësimit në PS dhe të PS: E para, zgjerimi i Kryesisë së PS me dy anëtarë të rinj, dy kryetarët e bashkive Korçe e Elbasan. Natyrisht, akt i rëndësishëm në strategjinë e përfaqësimit të PS dhe strategjinë elektorale në dy qarqe shumë të rëndësishme për rezultatin e përgjithshëm elektoral. Por, mendoj se akoma më mirë do të plotësohej vendimmarrja duke marrë parasysh dhe Vlorën. Vlora është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, është thelbi historik i saj; Vlora është shumë e rëndësishme edhe për PS, është zemra militante e saj, në çdo kohë! Shpëtim Gjika është një përfaqësues i denjë i PS. Beri krenar çdo shqiptar, pavarësisht ku banon, ku beson, ku militon! E bëri me mendje e zemër, në liri të plotë. Ai ishte modeli ynë këtë 100 vjetor. Modeli i respektit për cilindo që ka kontribuuar në këtë vend, modeli i nderit e dinjitetit vendor e kombëtar, modeli i betejës me pushtetin që kërkonte t’i ndryshonte referimin, boshtin, thelbin Kombit! Modeli i lirisë për cilindo!”, shkruan Braçe në faqen e tij në Facebook. Deputeti socialist nuk ndalet me kaq. Ai ka kritika edhe për koalicionin, i cilësuar si më i madhi në histori nga kryesocialisti, por që për Erjon Braçen 30 partitë e listuar përkrah PS-së, nuk përfaqësojnë socialistët. “E dyta, formatimi i një koalicioni opozitar në mbi 30 parti politike. Natyrisht edhe ky, akt i rëndësishëm në zgjerimin e përfaqësimit të të gjithë popullit opozitar e më shumë se ai në prag të zgjedhjeve. Por, mendoj se duhet më shumë! Duhet të tejkalojmë përfaqësimin partiak të opozitës. Ka ende njerëz të pa përfaqësuar në opozitë. Janë shumë të pa përfaqësuar në ato 30 parti. Pikërisht për këtë arsye duhet të zgjerojmë përfaqësimin në planin social e shoqëror; me grupe të organizuara sociale e shoqërore, të margjinalizuara nga regjimi, por që kanë grumbulluar interesa shumë të gjëra njerëzish të pa përfaqësuar në politikë”, thotë Braçe. Partia Socialiste mblodhi javën e kaluar tryezën e partive të koalicionit me përfaqësimin e 25 partive pjesëmarrëse. Përveç faktit që aty munguan disa prej aleatëve tradicionalë si Paskal Milo i PDS, apo dhe aleati i 2009-ës, Vangjel Dule nga PBDNJ, Edi Rama ishte kujdesur që të mos mungonin kurrsesi 4 parti politike komuniste. Ndërsa pjesa tjetër, mbushte koshin e mbeturinave, parti dhe liderë anonimë, të cilët veç një i marrë mund t’i cilësojë “armata e koalicionit”, kur impakti i tyre elektoral është në kufijtë e komikes.