E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësimdhënia nga Ulrike Lunaçek

28-01-2013 / Nga Xhemajl Sheremeti

”Nuk ka kompromis me ata që vënë në dyshim pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës". Kosova është deklaruar e pavarur dhe sovrane, nga përfaqësuesit e popullit të vet, qysh më 2 Korrik 1990. Populli i Kosovës ka vepruar si i pavarur që nga ajo kohë, edhe atëherë kur pushtuesit serbë e plaçkitën, e dhunuan, e gjakosën por edhe kur e bënë shkrumb e hi. Të tjerët e kuptuan vëndosmërinë e popullit të Kosovës për pavarësi dhe e pranuan pavarësinë e Kosovës pas 17 shkurtit 2008. Kuvendi i Kosovës, Qeveria dhe gjyqet e Kosovës, me qëndrimet dhe sjelljet e tyre, edhe sot po e vënë në dyshim pavarësinë e Kosovës. Këto institucione vitale për pavarësi po japin shembuj konkretë në këtë drejtim. Vlen të përmenden disa shembuj të tillë: Kuvendi i Kosovës, duke bërë kompromis me ata që e vënë në dyshim pavarësinë e Kosovës, pos tjerash ka miratuar një ligj me të cilin mësuesve shqiptarë nuk ua njeh përvojën e punës të viteve 1991-1999, pikërisht të atyre viteve kur arsimi shqip vepronte i pavarur nga pushteti serb. Kjo përvojë është shumë e nevojshme për mësuesit të cilët këto vite duhet të përfitojnë pensionet e merituara. Kuvendi i Kosovës duhet të kuptojë se ata mësues kanë qenë viktimat e para të pushtuesit serb, por duke mos u përkulur asnjëherë kanë vënë shtyllën e parë të pavarësisë së Kosovës. Edhe shumë deputetë dhe qeveritarë të sotëm janë përfitues të dokumenteve të nënshkruara nga këta mësues, nën emblemën e Republikës së Kosovës dhe me sfond Shqiponjën me dy Krerë, emblemën e kombit shqiptar. Ata bëjnë tradhti nëse i kanë pranuar diplomat e asaj kohe dhe nuk u njohin meritat nënshkruesve të atyre diplomave. Qeveria e Kosovës, me kompromiset e bëra më parë dhe me ato që po i bën edhe tani, përballë atyre që e vënë në dyshim apo nuk e njohin fare pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, po bien në pozita serviliteti gjë që nënkupton se edhe qeveria e Kosovës, përkundër deklaratave të fuqishme, akoma e vë në dyshim pavarësinë e Kosovës. Një veprim i qeverisë vlen më shumë se mijëra ide e deklarime të thëna.
Nga ana tjetër duke fryrë vlerën e shërbimeve që i ofrohen popullit, më shumë se 10% të buxhetit të mbledhur nga taksapaguesit e Kosovës po derdhet në xhepat e individëve. Kjo po e varfëron popullin në mënyrën po aq të vrazhdë sa edhe në kohën e pushtuesit serb. Qeveria po e nëpërkëmbë pavarësinë e Kosovës sikur të ishte pavarësia privilegj i qeveritarëve të shkëputur nga populli. -Gjyqet e Kosovës, në shumë mënyra, kanë dhënë shembuj të këqij të papërgjegjësisë për detyrën e shenjtë të ndarjes së drejtësisë. Duke filluar nga neglizhenca e pakuptimtë e deri të dëmtimi i tërësishëm procesit të vlerësimit, ata po veprojnë me logjikën e të fortit. Se Gjyqet e Kosovës po e vënë në dyshim edhe pavarësinë e Kosovës, ka dëshmi të shumta.
I fundit është ai rreth pronave të falura Kishës serbe në Deçan, nga pushtuesi serb. Kjo do të thotë se ata i njohin më shumë aktet e dhunshme se sa drejtësinë e natyrshme. Nuk është e natyrshme t’i falet pasuria e përbashkët e popullit të Kosovës dikujt që nuk e njeh pavarësinë dhe sovranitetin e saj. Ky veprim nuk mund të emërtohet ndryshe veçse tradhti ndaj popullit të Kosovës, në emër të të cilit gjykata vendos.
Zonja e nderuar Ulrike Lunaçek, për dokumentin e hartuar nga ajo për aprovim në Asamblenë e Europës, këto ditë ka deklaruar se mund të bëhet ndonjë kompromis me amendamente për të plotësuar dokumentin, por jo edhe me ata që e vënë në dyshim pavarësinë apo sovranitetin e Kosovës. Ky mësim që na vjen nga kjo zonjë e nderuar, duhet të kuptohet mirë dhe të gjejë zbatim nga Kuvendi, Qeveria dhe Gjykatat e Kosovës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›