E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Berisha është peng i Fazlliçit

Nënkryetari i grupit socialist ka akuzuar Berishën se ka favorizuar në mënyrë antiligjore biznesmenin boshnjak

Deklarata e djeshme e kryeministrit Sali Berisha në lidhje me skandalin “Fazlliç” ka sjellë debate të forta në sallën e Kuvendit, ku opozita ka reaguar ashpër në lidhje me atë që ajo e konsideroi si sulm të ekzekutivit ndaj prokurorisë. Duke folur në emër të grupit parlamentar socialist, deputeti Erion Braçe ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha dhe ministrat e tij se duke dalë në mbrojtje të sekserit serbo-boshnjak Damir Fazlliç, po pengojnë organin e akuzës që të bëjë punën e vet. “Berisha ka qenë, është dhe do të mbetet kryeministri që nuk mund të përshtatet e të jetojë me institucionet e pavarura. Ai është peng tek një biznesmen për të cilin është gati të shkrijë gjithë pushtetin e partisë së tij dhe për të cilin është gati të bëj çmendurira normative si ajo që lajmëroji sot, e kjo pjesë e folklorit të tij patriotik, por kurrë pjesë e botës reale të cilën e ka lënë peng te një serbo-boshnjak që e quan edhe mik”, - tha nënkryetari i grupit parlamentar socialist Erion Braçe. Duke u ndalur pikërisht tek nisma e shpallur dje nga kreu i qeverisë për ngritjen së pari të një komisionit të posaçëm parlamentar dhe për të thirrur një trup prokurorësh ndërkombëtarë për hetimin e kësaj çështje, Braçe ka theksuar se ajo në radhë të parë është e pamoralshme dhe e dyta antikushtetuese. Sipas tij kryeministri Berisha është në konflikt interesi në këtë hetim, pasi është ai dhe familja e tij politike dhe natyrore ata që janë vënë në qendër të akuzave jo vetëm të opinionit publik, por edhe atyre të prokurorisë. “Ky është konflikt interesi, sot ne kemi një kryeministër që ka konflikt interesi me drejtësinë pasi familja e tij politike dhe qeveria është nën akuzë. Skandali Damir Fazlliç, familja e tij biologjike, madje fisi është nën akuzë. Sot Berisha tha se flet në emër të parimeve, por parimi thotë se i akuzuari nuk mund të zgjedhë prokurorin e tij, i akuzuari zgjedh vetëm mbrojtësin dhe Berisha ka sot më shumë se kurrë nevojë për avokat. Ndaj urdhri i tij për prokuror të huaj nuk ka moral, por nuk ka as kushtetutshmëri”, - tha Braçe. Ndërkohë, edhe një herë për të vërtetuar lidhjet e fshehta ndërmjet qeveritarëve dhe Damir Fazlliçit, si dhe favoret që ka përfituar ky i fundit nga “dashamirësia” e qeverisë, nënkryetari i grupit parlamentar socialist ka paraqitur para deputetëve dokumente origjinale të cilat sipas tij faktojnë aferat që kanë ndodhur gjatë këtyre tre vjetëve qeverisje të djathtë. Kështu, ai ka prurë në vëmendje të deputetëve dhe opinionit publik faktin se vetëm gjatë vitit 2007 nga 9 tendera të zhvilluara nga KESH dhe të fituara nga kompanitë serbe vetëm njëri prej tyre është bërë me prokurim të hapur, ndërsa tetë të tjerët janë bërë me procedurat të drejtpërdrejta. Gjithashtu një tjetër fakt kompromentues ka theksuar Braçe është edhe ai që lidhet me tokat në Porto-Romano në Durrës, ku qeveria ka vendosur të ndërtojë një kompleks energjitik në pronën e blerë nga Fazlliç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›