Berisha: Fazlliç , duhet hetim ndërkombëtar
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka çuditur të gjithë dje në një konferencë për shtyp, teksa ka kërkuar një hetim ndërkombëtar për Damir Fazlliç. Me shumë se asnjëherë tjetër, kryeministri i vendit ka mbrojtur Fazlliç, duke mos kursyer në çdo paragraf të fjalës së tij se ai mbetet një mik i vërtet i tij. Për hir të kësaj miqësie, kryeministri Sali Berisha ka vendosur që të gjejë metoda krejt të paargumentuara juridikisht siç ishte ajo për një hetim ndërkombëtar edhe pse një kërkesë të tillë, deri më tash e ka bërë vetëm organi i akuzës dhe vetëm për çështjen “Hajdari”. Berisha ishte konfuz dje teksa u pyet mbi rrugën që do të ndiqet për një hetim të tillë. Ai foli për një dekret nga ana e Këshillit të Ministrave, ndërkohë që dekreti, mund të nxirret vetëm nga Presidenti i Republikës. Pavarësisht se rasti i hetimit ndërkombëtar u trajtua nga kryeministri jo si një shprehje e mosbesimit tek Prokuroria, Berisha nuk i kurseu akuzat e tij ndaj veprimeve të ndërmarra nga dy prokurorët, ditën kur Fazlliç ishte në Tiranë, duke ndikuar në këtë mënyrë krejt hapur në punën e prokurorisë. “Pavarësinë e prokurorisë e shkelmojnë, më shumë se çdo gjë tjetër, ata që urdhërojnë me telefon ndalimin e shtetasve të huaj apo vendas, jashtë flagrance”,- tha Berisha. Duke mbetur tek çështja e hetimit ndërkombëtar, Berisha tha se grupi që do të hetojë do të përfshije ekspertë nga prokuroria shqiptare por edhe ato të huaj, të cilët do të zgjidhen nga qeveritë përkatëse. “Nuk mund të përzgjedhim ne ekspertët e huaj, sepse nuk kemi një listë të tyre. Ne do t’u adresohemi qeverive të vendeve mike dhe ato do t’i caktojnë”,- tha Berisha. Qëllimi i këtij hetimi, sipas Berishës konsiston në faktin nëse serbo-boshnjaku, Damir Fazlliç ka përfituar nga fondet publike. “Është e domosdoshme që një hetim ndërkombëtar të thotë që Damir Fazlliç për shkak të njohjes me Sali Berishën që unë e pohoj katërcipërisht, të lidhjeve miqësore me Sali Berishën që unë i pohoj katërcipërisht ka përfituar qoftë dhe një qindarkë të vetme nga fondet publike të kësaj qeverie dhe e faktuar kjo, çdo qytetar shqiptar e ftoj të besojë se unë i kam dhënë miliarda atij”,- tha ai. Nga ana tjetër, në kulmin e hetimit nga ana e organit të akuzës për të zbardhur të vërtetat e aferave të përfolura të Damir Fazlliç, kryeministri Sali Berisha ka folur edhe për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, objekti i të cilit, nuk do të jetë çështja që është në hetim. Komisioni hetimor parlamentar, sipas Berishës, do të konsistojë në marrëdhëniet e krijuara midis Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme, pas konfliktit të fundit në lidhje me kërkesën për marrje në pyetje të Fazlliç. Ngritja e Komisionit Parlamentar nga ana e qeverisë i jep kështu kartë të bardhe mazhorancës që të zgjerojë objektin e hetimit parlamentar, pasitë përfundojë hetimin prokuroria duke cenuar në këtë mënyrë edhe pavarësinë e kësaj të fundit. Një fakt ky që u be publik nga vetë kryeministri Sali Berisha dje në konferencën për shtyp, teksa u pyet nëse në përfundim të hetimit mund të konkludohet me një kërkesë për shkarkimin e Prokurores së Përgjithshme. “Hetimi parlamentar nuk do të ketë të bëjë me këtë çështje. Ka një ligj që përcakton që parlamenti nuk mund të hyjë në çështje të hetimit dhe ky është një përcaktim shumë i drejtë dhe unë i qëndroj plotësisht. Ky është një vendim shumë i rëndësishëm. Parlamenti nuk mund të ndërhyjë dhe nuk mund të bëhet prokurori, pavarësisht nga fuqitë që ka. Nëse ai dëshiron që tëbëjë hetim të plotë të çështjes, le të presë sa të përfundojë hetimin prokuroria dhe le të veprojë. Por që ajo t’i marrë dosjen e hetimit prokurorisë kjo nuk mund të ndodhë. Pra, parlamenti do të hetojë çështje që nuk kanë të bëjnë me dosjen e hetimit”, -tha dje Berisha. Edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kreu i ekzekutivit ka mbajtur të njëjtën ligjëratë, duke mbrojtur më shumë se kurrë njeriun që akuzohet për afera të pista dhe lidhje me kriminelë të Ballkanit.
Berisha presion në Kuvend: S’i keni kokrrat për mocion
TIRANË- Kryeministrit Sali Berisha nuk i ka mjaftuar ligjërata prej 45 minutash në konferencën për shtyp të mbajtur, e as fjala e tejzgjatur po për të njëjtën çështje të mbajtur në mbledhjen egrupit parlamentar të PD-së. Pas replikave me shumë se një ore në seancën e Kuvendit, kryeministri i vendit nuk ka kursyer as kërcënimet ndaj opozitës, teksa i është referuar kërkesës për hetim ndërkombëtar për çështjen Fazllic. “Theksoj se tmerri i folësve opozitës nga hetimi i pavarur nuk ka lidhje me Fazllicin. Opozita rreh kundër hetuesve ndërkombëtar se ka frikë se Berisha nesër do ti përdorë ata për krime të tjera, dhe ata do nxjerrin se ai atje nuk quhet Erion Braçe por Erion Dondollaku, ai tjetri nuk quhet Arben Malaj, por Arben Cenaj, ai tjetri në fund nuk quhet Ilir Meta por Ilir Floriri, ai tjetri atje nuk quhet Engjëll Bejtja por Engjëll Armo-ja e kështu me radhë e me radhë”,- tha ai. Kryeministri vijoi më tej me kërkesën që PS ka depozituar për mocionin me debat. “Keni kërkuar mocion, kontrolloni pak kokrrat, nëse i keni më bëni mocion mosbesimi, nëse nuk i keni kokrrat, nuk është faji im, është i juaji. Për kokrrat nuk ua kam fajin unë”,- tha ai. Menjëherë pas fjalës së mbajtur, Kryeministri Sali Berisha ka lënë ambientet e seancës plenare, duke mos dëgjuar në këtë mënyrë edhe replikat ndaj tij të deputetëve të PS-së, të cilët i përmendi jo pak gjatë fjalës së mbajtur.