Ngjela: Qeveria po rehabiliton mafian
TIRANË- Skandaloze e ka konsideruar deputeti demokrat Spartak Ngjela sulmet më të fundit që qeveria i ka bërë organit të akuzës lidhur me hetimin dhe hapat që kjo e fundit ka ndërmarrë ndaj çështjes “Fazlliç”. Nga foltorja e Kuvendit, Ngjela ka shigjetuar qeverinë si të implikuar në afera të dyshimta korruptive duke favorizuar në mënyrë të pandershme sekserin serbo-boshnjak Damir Fazlliç. Sipas tij, qeveria e kryeministrit Berisha është e përfshirë vet në këtë “skandal”, ndaj dhe përpiqet që të dalë në mbrojtje të një të ashtuquajturi biznesmen që kërkon tashmë nga organet e drejtësisë, jo vetëm shqiptare por edhe ato të ndërkombëtare për evazion fiskal dhe transaksione të paligjshme. “Një parlament që merret me prokurorin o vjedh vet e ka frikë prokurorin ose vjedh prokurori e ka frik nga krimi, arsye tjetër nuk ka që të ketë frikë nga krimi ky parlament. Kjo qeveri ka frikë nga prokurori se është i implikuar vet”, - tha avokat Spartak Ngjela gjatë fjalës së vet në minutazhin e diskutimeve jashtë rendit të ditës në seancën e djeshme parlamentare. Gjithashtu ai ka konsideruar të papranueshme edhe mbrojtjen që përpiqen të bëjnë disa pushtetarë të djathtë sekserit Fazlliç, duke përdorur argumentin se ai gjatë takimeve që ka zhvilluar me kryeministrin ka qenë i shoqëruar me ish-sekretarin amerikan për Sigurinë Tom Rixh. Ngjela ka theksuar se nuk mundet që në shtetin e së drejtës të mbrohet korrupsioni duke përdorur si mburojë emra qofshin këta edhe të respektuar përfaqësues të vendeve mike siç është rasti i ish-sekretarit amerikan Tom Rixh. Sipas tij, ajo që po kërkon të bëjë qeveria në këtë rast nuk është gjë tjetër veçse rehabilitim i krimit dhe njerëzve të mafias. “Doni që të na rehabilitoni mafian, ai që ka bërë krim, nuk ka të bëjë fare me sekretarin (Tom Ridge). Nëqoftëse ka lidhje me sekretarin e zgjidh problemin në procesin vet gjyqësor. Le të themi që është ky njeriu që nuk e duam, është ky njeriu që dyshohet për pastrim parash, paska ardhur me një amerikan. Le të vijë me kë të dojë edhe me presidentin. Nuk ka rëndësi fare pasi përgjegjësia është individuale e jo kolektive, aq më tepër në Amerikë”, - shtoi Ngjela. Duke prurë përvojën e demokracisë amerikane të cilës politikanët tanë i referohen shpesh, ai ka theksuar se atje kushdo qoftë që shkel ligjet shkon në burg. Prandaj,
Ngjelaka bërë të qartë se edhe në rastin e Damir Fazlliç, kushdo që e ka ndihmuar atë në këto afera duhet të përgjigjet përpara ligjit. “Ku ka ministër të pa prekshëm në Amerikë? Nuk shkelën ligjet as nga dishepujt më të mëdhenj që kur zbresin në tokë po shkelin ligjin shkojnë në burg ne Amerikë”, - tha Ngjela. Për ti dhënë fund presionit të qeverisë ndaj organeve të drejtësisë ai ka vlerësuar si tepër të domosdoshme sensibilizimin e opinionit publikë për të protestuar ndaj kësaj qeverisje. “Ç’është ky Damir Fazlliu që merreni me një injorant. Gjithë qeveria në mbrojtje të tij dhe i del me alibi që e paska sjell këtu një sekretar shteti. Një vend që nuk di të mobilizojë opinionin publik është i destinuar të shtypet”, përfundoi ai.