E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Berisha u vodhi shqiptarëve 128 mln $

 

Nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së analizoi me shifra të dhënat ekonomike në vend

TIRANË- “Dialog me gënjeshtra”. Kështu e cilësoi dje Partia Socialiste turin e kryeministrit Sali Berisha “Shqipëria në NATO”. Ndryshe nga kryeministri Berisha, socialistët pretendojnë se arritjet e prezantuara gjatë këtij turi janë mashtrime pasi, sipas tyre, të dhënat ekonomike flasin krejt ndryshe. Duke iu referuar treguesve makroekonomikë për pesë muajt e parë të këtij viti, nënkryetari i grupit parlamentar socialistë, Erion Braçe është shprehur se qeveria nuk ka përmbushur asnjë nga detyrimet e saj, qoftë sa i përket vjeljes së të ardhurave nga akciza, ashtu edhe sa i përket investimeve publike, apo edhe kompensimit të qytetarëve për rritjen e çmimeve. Ai ka shkuar edhe më tej kur ka akuzuar kryeministrin Berisha se në 5 muajt e parë të këtij viti, i ka vjedhur shqiptarëve më shumë se 128 milionë dollarë, duke mos i kompensuar realisht për rritjen e çmimeve, por duke i mohuar edhe investimet publike. “Turi “Dialog me gënjeshtrën” i Sali Berishës, duhet të materializohet me këta tregues: Sali Berisha u ka marrë qytetarëve përmes plaçkitjes nga çmimet 128 mln USD, nuk u ka dhënë atyre, 147 mln shpenzime operative, mirëmbajtje, kapitale të cilat mungojnë në spitale, shkolla, rrugë plot gropa, bujqësi, energji, ujë etj., por edhe 11 mln USD shpenzime sociale”,- tha Braçe. Duke u ndalur në treguesit e veçantë Braçe ka theksuar se rezulton se rritja galoponte e çmimeve dhe inflacionit që po paguajnë qytetarët, ka ndihmuar qeverinë të tejkalojë planin në disa zëra tatimesh. Ai ka veçuar gjithashtu faktin që të ardhurat nga akciza janë realizuar vetëm 87.3% ose 1.7 mld lekë më pak se plani, ndërkohë që të ardhurat nga Sigurimet Shoqërore janë realizuar vetëm 95%, ose 804 mln lekë më pak sesa ishin planifikuar. “Ky është një tjetër tregues që dëshmon se tatimi mbi pagat po aplikohet si grabitje: pra, kur sigurimet shoqërore mblidhen më pak se plani, tatimi mbi pagat mblidhet shumë herë më tepër”, - thekoi Braçe. Ai ka sjellë në vëmendje, faktin se shpenzimet në 5 mujor mbeten treguesi më i qartë i dështimit dhe paaftësisë së kësaj qeverie, por edhe mungesës së punëve të mëdha publike në arsim, shëndetësi, bujqësi, energji, infrastrukturë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›