Ndërtuesit: Qeveria na shtoi 3 taksa
“Banesat po kapin çmime rekord, qytetarët nuk do të përballojnë më strehimin”
Ndërtuesit kanë kundërshtuar vendimin e fundit të marrë nga qeveria për rritjen e tre taksave lokale. Vetëm dy ditë pasi ishte trumbetuar nga ana e kryeministrit Berisha si një reformë lehtësimi taksash, vendimi i fundit i qeverisë, rrit ndjeshëm tre taksa për sektorin e ndërtimit. “Ky projektligj është hartuar pa marrë asnjë mendim nga Shoqata e Ndërtuesve, duke lënë jashtë vëmendjes së qeverisë grupimet e interesit, ashtu si edhe një sërë projektligjesh dhe ligjesh të tjera. Sektori i ndërtimit po detyrohet të kalojë në një krizë të thellë, për shkak të faktorëve që nuk varen nga ai, por nga politikat fiskale aspak të drejta që ndërmerren ndaj tij. Në rastin më të fundit, në këtë projektligj janë parashikuar aplikimi në rritje i tri taksave, për të cilat kërkohet parapagim, duke rritur në mënyrë të ndjeshme kostot e ndërtimit dhe duke ulur aftësitë financiare praktike të biznesit”,- tha Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve, Shkëlqim Bumçi. Ndërtuesit kanë shënjestruar qeverinë si shkaktarin kryesor të rritjes së çmendur të çmimeve të apartamenteve. “Me këtë rritje të detyruar të çmimeve për shkak të politikave fiskale aspak të favorshme deklarojmë që strehimi në Tiranë, por dhe në rrethe, do të jetë i pamundur për qytetarët. Vërejmë se me shumë shqetësim që qeveria po deklaron reforma duke ulur barrën fiskale për të gjithë sektorët e tjerë, ndërkohë që për industrinë e ndërtimit kjo barrë ka ardhur duke u shtuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të ndjeshme, duke rritur kostot”, - tha Luigj Aleksi. Duke kërkuar reflektim nga qeveria për këto masa arbitrare, ndërtuesit kanë bërë të ditur se, “ne deklarojmë se jemi kundër rritjes së nivelit të taksës së ndikimit në infrastrukturë nga 4 në 6 për qind, rritjes së taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, si dhe futjes së një detyrimi të ri të taksës së truallit urban për mënyrën si kërkohet të paguhet dhe qëllimi i përdorimit të tyre pa përfillur kërkesat tona të drejta. Janë me qindra-milionë euro që kërkohet t’i merren industrisë së ndërtimit, e cila është kthyer në një shënjestër të lehtë për sistemin e taksave. Në këtë periudhë kanë pësuar rritje të ndjeshme, deri në dyfishim të tyre, të gjithë çmimet e materialeve bazë të përdorura nga industria e ndërtimit”.