Braçe: Bode mashtroi, arka e shtetit është bosh
TIRANË - Qeveria mashteroi me buxhetin, pasi nuk tregoi gjendjen reale te buxhetit te shtetit. Kështu u shpreh sot deputeti i PS-së, Erjon Braçe një ditë pas konferencës së Bodes për buxhetin.
"Por, për fat të keq Kryeministri ynë e ka reduktuar ministrin e Financave në një sekretar të përgjithshëm partie, Për këtë shkak ministri i Financave zgjodhi dje të na thotë salillëqe, e jo të bëjë transparencë të treguesve fiskalë për 7 muajt e parë të vitit", tha Braçe, duke shtuar se "ne kemi detyrimin politik ta bëjmë këtë transparencë për çdo shqiptar".
PS ka perseritur disa here se arka e shtetit është bosh. Edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka thënë se risku i likuiditetit për qeverinë është shumë i lartë. Treguesit e përkeqësuar të muajit korrik, si dhe të 7 muajve të parë të vitit tregojnë frikshëm se arka e shtetit është bosh.
Braçe solli edhe faktet ilustruese që tregojnë se "në arkën e shtetit në vetëm 7 muaj mungojnë 11.8 mld lekë të reja/ 131 mln dollarë të ardhura. Po kështu edhe 1.4 mld lekë të reja/ 15.5 mln dollarë si grante e ndihma.
****
Bode dhe Kodheli përplasen për fondet e buxhetit
TIRANË- Ministri i Financave ka deklaruar sot se do të ndryshojë destinacionin e parave të buxhetit të shtetit, për arsyeje se disa projekte mbeten të pa mbyllura. Pas daljes së tij publike ka reaguar Partia Socialiste duke deklaruar se paratë e buxhetit shkuan për fushatën e PD-së, dhe Bodes i duhet tashmë të mbyllë vrimat.
"Ne jemi duke riparë buxhetin, me qëllim rialokim të fondeve, pasi disa projekte nuk mund të realizohen brenda këtij viti, ndaj ne parashikojmë të kursejmë 8 deri 9 miliardë lekë. Këto para do t'i shpërndajmë në projekte, të cilat kanë avancuar më shumë dhe kanë nevojë për financim", - tha Bode në konferencë për shtyp. Ai pohoi se situata aktuale buxhetore në mbledhjen e të ardhurave dhe në shpenzime është stabël.
Ndërkohë, zëdhënësja e Kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli e pyet publikisht z.Bode se pse paratë e privatizimeve abuzive të pasurisë së përbashkët të shqiptarëve, po bëhen gati për të mbushur arkën e boshatisur nga fushata e grabitjes së votës. "Ministri i Piramidave duhet t'ju thotë shqiptarëve nëse i ka shlyer detyrimet e mëdha që u ka kjo qeveri, firmave të tjera të rrugëve të hapura nëpër Shqipëri", u shpreh Kodheli. "Edhe në rastin kur Guvernatori i Bankës, edhe pse me një gjuhë shumë diplomatike, flet qartë për krizë ekonomike kërcënuese, ministri i financave çuditërisht pranoi sot se situata ekonomike në vend tashmë është e qëndrueshme", vijoi ai.
Bode i kundërshtoi zërat politike duke u shprehur se "Banka e Shtetit nuk është boshatisur dhe në llogarinë e saj, qeveria rezulton në datën 21 gusht me 4.8 miliardë lekë dhe 97 milionë euro".