Ish-efektivi hidhet nga ballkoni për ti shpëtuar policisë
SARANDE - Një 55 vjeçar nga Saranda, ish-efektiv i policisë dhe aktualisht me profesion taksist, është hedhur nga ballkoni i katit të tretë të banesës së tij për t'i shpëtuar një operacioni të uniformave blu. Ai eshte transportuar ne spitalin ushtarak dhe eshte ne gjendje te rëndë për jetën.
Ngjarja ndodhi dje në mbrëmje, në lagjen nr.1 të qytetit të Sarandës, në pallatin prapa kishës së "Shën Harallambit" në këtë qytet. "Selman Lumani, 55 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë është kapur në befasi nga policia lokale që shkoi për një kontroll në banesën e tij në bazë të informacioneve se dispononte vula të falsifikuara të institucioneve të rëndësishme shtetërore", thanë burime të policisë. 55 vjeçari, sipas të njëjtit burim, ka treguar si vend ku mbante vulat, ballkonin e banesës së tij, dhe kur ka shkuar atje së bashku me ekspertët e policisë është hedhur duke rënë në asflat.
Ai është transportuar me urgjencë në spitalin e Sarandës, me fraktura të shumta në gjymtyrë e dëmtime në të gjitha pjesët e trupit, dhe më pas, gjatë orëve të natës duke u gdhirë dita e sotme, është dërguar me helikopter në spitalin e Tiranës.
Selman Lumani ishte prangosur dhe gjashtë vjet më parë, pasi gjatë një kontrolli në banesën e tij u gjetën disa vula institucionesh shtetërore. Ai u la i lirë pas disa muajsh, pasi nuk u provua veprimtaria e falsifikimit të dokumenteve zyrtare.
Ai ka shërbyer për disa vite, deri më 1997, si efektiv i komisariatit të policisë së rendit në Sarandë e më pas u lirua për shkak të reformës. Vitet e fundit, punonte si taksist në linjën Sarandë-Janinë. Ai është baba i një vajze dhe një djali, i cili paraqet probleme të shëndetit mendor, ndërkohë që bashkëshortja e tij është invalide.