Dhunohen varrezat e fshatit Shën Gjergj, s'dihen motivet
KORÇË- Janë dhunuar varrezat e fshatit Shën Gjergj në komunën e Pojanit. Mbi 25 varreza janë thyer dhe shkatërruar nga persona ende të pa identifikuar. Dëmtimi është konstatuar nga vetë banorë e fshatit të cilët kur kane shkuar në varreza janë befasuar nga një masakër e tillë.
Ende nuk dihen shkaqet e dhunimit të varrezave. Banorët e indinjuar fillimisht i janë drejtuar komunës duke e vënë në dijeni, për këtë akt barbar dhe më pas kanë njoftuar edhe policinë e rendit.
Ndërkohë banorët kanë kërkuar nga komuna Pojan dhe uniformat blu të gjejnë sa më parë personat që shkaktuan shkatërimin e varezave, pasi ata e konsiderojnë një akt të tillë si një veprim jo të papërgjegjshëm, por dashakeq, prandaj kërkojnë edhe ndëshkim ndaj atyre që kanë vënë dorë në varrezat.
Banorët kërkojnë që sa më parë të identifikohen personat që kryen këtë akt të shëmtuar dhe të ndëshkohen sipas ligjit.
Pas marrjes së njoftimit nga ana e komisariatit të Korçës është ngrituir grupi hetimor i cili ka shkuar në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve si dhe për zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarje. Në Rajonin e Korçës janë evidentuar gjatë viteve të fundit herë pas herë raste të dhunimit të vareve. Pak kohë më parë, nga uniformat blu u ndaluan disa persona të cilët dëmtonin varrezat e qytetit të Korçës për qëllime përfitimi, duke prishur varet për të marrë prej tyre materialet prej metali, të cilat më pas ata i shisnin.