E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Dëshmitë e Argitës kanë vlerë vetëm në Prokurori

Nënkryetari i grupit kuvendor të PS Braçe, tha se “çdo dëshmi e dhënë nga personat e përfshirë në çështjen “Fazlliç” duhet bërë në Prokurori. Braçe reagoi pas deklaratës së djeshme të Argita Malltezit. 

TIRANE- Partia Socialiste nëpërmjet nënkryetarit të grupit kuvendor, Erion Braçe, publikoi këtë të mërkurë disa dokumenta me të cilat vërtetoi se “sipas saj vajza e kryeministrit Berisha, Argita Malltezi nuk ka thënë të gjithë të vërtetën në deklarimin e saj”
Sipas Braçes “ballafaqimi i këtyre akteve me ligjet në fuqi, për shitjen e tokave bujqësore, pyjeve dhe kullotave, si dhe ballafaqimi I këtyre akteve me ligjin në fuqi për shitblerjen e trojeve, do të ndihmojë shumë të vërtetën”.
Sipas nënkryetarit të deputetëve socialistë, të gjitha dëshmitë që njerëzit e afërt të Berishës po japin në media mund të bëhen të vlefshme e të merren si të vërteta, vetëm nëse bëhen në Prokurori.
“Dëshmia nuk është lojë më tullumbace, po përgjegjësia para dhe për drejtësi, ndaj të gjitha dëshmitë vullnetare dhe të ligjshme duhet te adresohen në Prokurori, por jo në shtëpi, as në studion legale, apo qeveritare”, shtoi më tej Erion Braçe.
Socialistët për të disatën herë përsëritën se kryeministri Berisha është në konflikt interesi me çështjen “Fazlliç” në të cilën Berisha sipas selisë rozë “është më i përfshirë se kurrë në ditën e tij të lindjes”.
Në fund të fjalës së tij Braçe i uroi kryeministrit Berisha “pension të mbarë, pleqëri të gjatë, pasi para ka vënë boll siç rezulton nga deklarimet e pasuriive dhe shumë fat për tu përballur me drejtësinë”. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›