Prokuroria pushon çështjen "Trebicka":Vdiq në aksident
Prokuroria e Korçës ka pushuar çështjen e vdekjes së Kosta Trebickës. Sipas kësaj prokurorie, dëshmitari kyç për aferat korruptive të Gërdecit ka vdekur në aksident për shkak të një kthese të menjëhershme të automjetit me të cilin udhetonte.
KORÇË - Prokuroria e Korçës ka pushuar çështjen e vdekjes së dëshmitarit kyç të aferave të tragjedisë së Gërdecit, Kosta Trebicka. Në një konferencë për shtyp, prokurori i Përparim Vukaj ka deklaruar se Kosta Trebicka vdiq në një aksident. Nisur nga të gjitha të dhënat për ngjarjen dhe nga provat e siguruara, prokurorët kanë konkluduar se aksidenti i Kosta Trebickës ka ardhur për shkak të një kthese të menjëhershme të automjetit me të cilin po udhetonte Trebicka. Sipas Prokurorisë së Korçës vdekja e biznesmenit Kosta Trebicka është një aksident i pastër automobilistik, veprime të cilat janë kryer nga shoferi. Për pasojë sipas hetuesve kjo ngjarje nuk përbën vepër penale, ndaj dhe kjo çështje pushohet.
Sipas Vukaj aksidenti automobilistik ka ndodhur nga një prerje e menjëhershme e timonit që ka kryer drejtuesi i mjetit, me mjetin tip “Nisan Patrol” i cili drejtohej nga Trebicka. Prerja e menjëhershme e timonit nga ana e majtë e cila ka bërë që makina të kryejë edhe disa rrotullime në ajër, ka sjellë shtypjen e trupit të viktimës nga makina gjë e cila ka sjellë edhe vdekjen e Trebickës, ndërsa makina është gjendur 43 metra larg kufomës.
Në konferencë Prokuroria e Korçës deklaroi se për këtë ngjarje ekspertët kanë kryer ekspertizën mjeko-ligjore ndaj kufomës, ekspertizën autoteknike si dhe ekspertiza të tjera në vendin e ngjarjes si ajo e terrenit, e relievit malor, etj.
Pak ditë më parë u publikua edhe përfundimet e ekspertit shqiptar i pavarur Gëzim Hoxha, i pajtuar nga Prokuroria e Përgjithshme. Në konkluzionet e aktit të ekspertimit, eksperti Hoxha thekson se në momentin e devijimit, biznesmeni Trebicka ka qenë i pandërgjegjshëm, ndërsa shton se gabimi njerëzor në manovrimin e makinës dhe ndërhyrjet rrënjësore në mjet i kushtuan jetën biznesmenit Kosta Trebicka. Ekspertiza e Hoxhës iu bashkëngjit dosjes së Prokurorisë së Korçës, e cila pasi mori përsipër hetimin për vdekjen misterioze, konkludoi sot se Kosta Trebicka ka vdekur në aksident.
Në të njëjtin përfundim ka mbërritur ditë më parë edhe eksperti amerikan Kevin J.Teter i cili publikoi raportin e tij për këtë ngjarje.
Biznesmeni Kosta Trebicka u gjet i vdekur në një rrugë dytësore të segmentit Lekas-Voskopojë, në vendin e quajtur Qafa e Kulave, 30 kilometra nga Korça. Disa metra larg kufomës u gjet automjeti në kushtet e një aksidenti automobilistik. Kosta Trebicka ishte dëshmitari kyç i aferave korruptive të ngjarjes së Gërdecit.
(a.s/Balkanweb)