Brace: KESH mblodhi ujë në HEC-e për të shitur energji në Serbi
TIRANE- Në kulmin e krizës së përmbytjeve në Shkodër të shkaktuar si pasojë e shkarkimit të ujrave nga basenet e hidrocentraleve, qeveria i ka shitur kompanisë serbe Rudnap, sekseri i së cilës njihet Damir Fazllic një sasi të konsiderueshme energjie. Deputeti socialist Erjon Brace i ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” publikoi një dokument të KESH ku në datën 13 janar të këtij viti, pa tender dhe pa asnjë lloj procedure, qeveria i ka shitur kompanisë serbe Rudnap, energji elektrike. “Në 13 janar është rritur prodhimi i KESH-it nga hidrocentrali i Fierzës. Akuza jonë deri tani ka qenë pikërisht kjo, që KESH ka grumbulluar ujë në basenet e kaskadës së Drinit në muajin tetor, nëntor, dhjetor për një arsye të vetme, për të shitur në janar. Në tetor, nëntor , dhjetor nuk ka patur kontrata dhe tenderi për shitje të energjisë elektrike ishte lajmëruar vetëm në janar ” theksoi Brace. Situata e fundvitit të 2009-ës, sipas Braces u përsërit dhe në muajin dhjetor ku sërish në skenë doli kompania Rudnap, prapa së cilës qëndron Damir Fazllic që njihet si miku i Berishës. “Për fat të keq, KESH e ka grumbulluar këtë sasi rezerve hidrike në kaskadën e Drinit pa i shitur OSSH-së. E dini pse nuk i shet, sepse sipas deklarimeve të ministrit përgjegjës për energjinë elektrike OSSH ja jep me gjysmën e cmimit me të cilën shet jashtë vendit” u shpreh deputeti socialist në “5 pyetje nga Babaramo”. (e.n/News24/BalkanWeb)