KQZ, ngërç ligjor për zëvendësimin e deputetëve
TIRANE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet ta ketë të vështirë marrjen e një vendimi për zëvendësimin e deputetëve të Partisë Socialiste që kanë vendosur të bojkotojnë Kuvendin deri në momentin kur qeveria të pranojë kërkesën për hapjen e kutive të votimit. Kjo për shkak, se nëse Topalli do t’i kërkojë KQZ-së të zëvendësojë deputetët e PS-së me emra të tjerë, ky institucion, për shkak edhe të përkatësisë politike, do ta ketë të vështirë vendimmarrjen për këtë çështje. Neni 24 i Kodit Zgjedhor sanksionon në pikën 1, germa “a” të tij se, “konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me: a) shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas neneve 162, 163 dhe 165 të këtij Kodi”. Sikundër vërehet, këtu nuk përfshihet neni 164 i Kodit Zgjedhor që bën fjalë për ndërprerjen e mandatit të deputetit dhe zëvendësimin e tyre. Por, nga ana tjetër, zëvendësimi përbën njëherësh dhënien e mandatit të deputetit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar në KQZ nga ana e Partisë Socialiste. Raportet politike në KQZ janë 4-3 në favor të maxhorancës. Në këtë rast, 4 anëtarët e këtij institucioni të zgjedhur nga demokratët do të pretendojnë se për sa kohë neni 24 i Kodit Zgjedhor nuk përfshin në dispozitën e tij nenin 164 që bën fjalë për zëvendësimin e deputetëve, atëherë vendimmarrja në këtë rast do të jetë me shumicë të thjeshtë. Por, nga ana tjetër, 3 anëtarët që përfaqësojë opozitën në KQZ do të pretendojnë, se edhe pse neni 164 nuk është i shkruar në dispozitat e nenit 24 që bën fjalë për vendimmarrjen, automatikisht përfshihet për sa kohë në këtë rast KQZ-ja po shpërndan mandate deputetësh nga kandidatët e radhës në listën shumëemërore që PS-ja ka depozituar në këtë institucion. Pikërisht këto dilema juridike pritet ta përfshijnë KQZ-në në një ngërç institucional ditën kur kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, sikundër ka paralajmëruar, do t’i drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të njoftuar mbarimin e mandatit të deputetëve të opozitës dhe zëvendësimin e tyre. Në raportin e tij më të fundit KE i bëri apel opozitës dhe qeverisë shqiptare për të gjetur gjuhën e dialogut, me qëllim daljen nga kriza politike që ka pllakosur vendin. Në raportin që do të diskutohet më 28 janar ora 15.00 në Asamblenë Parlamentare në Këshillin e Evropës në Strasburg i kërkohet qeverisë të ngrejë një komision hetimor për zbardhjen e zgjedhjeve të 28 qershorit, ndërsa opozitës i bëhet thirrje urgjente të kthehet në Parlament, nga ku së bashku me maxhorancën të punojnë për realizimin e reformave të rëndësishme.(GSH/BalkanWeb)