Vizita, Moisiu slejohet të takojë grevistët
TIRANË- Ish- Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu nuk ka mundur dje të futet në ambientet e Kuvendit për të takuar 10 deputetët grevistë. Ai është refuzuar dje nga Garda e Kuvendit, që të takojë deputetët grevistë të cilët prej 3 ditësh kanë hyrë në grevë urie. Edhe pse në statusin e një ish- presidenti, Moisiu është penguar të kryente një vizitë pranë deputetëve. Ka qenë pikërisht një nga shoqëruesit e Moisiut, që në emër të këtij të fundit ka kërkuar një autorizim për të hyrë brenda Kuvendit dhe për të vizituar në këtë mënyrë deputetët. Por garda nuk e ka lejuar, duke mos ditur të paktën zyrtarisht arsyet e një vendimi të tillë. Në rrethana të tilla, vizita ish-Presidentit Alfred Moisiu është anuluar. Qëndrimi i Alfred Moisiut është bërë i ditur tashmë. Në një interviste për mediat, ai e ka konsideruar grevën e ndërmarrë nga 10 deputetë, si një situatë jo normale. “Duhej të ishte gjetur një zgjidhje dhe besoj se zgjidhja do gjendet, për një gjithëpërfshirje të forcave politike në administratën zgjedhore", - është shprehur Moisiu. Duke parë deputetët e ngujuar në parlamentin e vendit, Presidenti i Republikës tha se,përgjegjësia binte mbi klasën politike, që gjërat kishin shkuar deri në këtë pikë.