E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe-Pango, akuza në Parlament për dhunën në zgjedhjet e KOKSH-it

Dhuna bashkë me incidentet e shumta të ndodhura së fundi në Asamblenë e 14 Zgjedhore të Komitetit Olimpik Shqiptar, është shndërruar në një objekt debatesh edhe në Parlamentin shqiptar. Ai që e promovoi këtë temë në institucionin më të lartë ligjvënës në vendin tonë, ishte deputeti Erjon Braçe, i cili nuk i kurseu akuzat të drejtim të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango. Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste i ka drejtuar gishtin ministrisë për ndërhyrje të paligjshme në zgjedhjet e KOKSH-it, dhe sipas tij, Pango po e bën një gjë të tillë duke u bërë palë, apo duke promovuar njërin prej kandidatëve në garën për president. Madje akuza e Braçes ka qenë edhe më e drejtpërdrejtë për ministrin, të cilin e ka cilësuar si një nga iniciatorët për dhunimin e votës së lirë në sport, duke iu referuar si fakt filmimit të kamerës së "Fiks Fare". "Zëvendësministri juaj, që është shquar edhe këtu në Parlament për dhunë, u pa teksa fliste me njërin nga kandidatët, Esat Ademin dhe menjëherë më pas, ai theu kutinë e votimit, theksoi dje Braçe, duke iu drejtuar Pangos. E ke degjeneruar fare sportin". Menjëherë më pas ka replikuar ministri Pango, i cili ka mohuar gjithçka, duke e konsideruar deklaratën e deputetit të PS-së si shpifje. Por Braçe ironizoi më pas, duke nënvizuar se askush nuk mund të mohojë një fakt, i cili ekziston edhe i filmuar. Ironia e nënkryetarit të grupit të PS-së arriti deri aty, sa i përmendi ministrit se "falë KOKSH-it, kishte shkuar familjarisht në Kinë me paratë e shtetit". Megjithatë, Pango pa sqaruar se është kundër dhunës dhe incidenteve të ndodhura gjatë asamblesë dhe më pas ai fajësoi vetë truprojat, të cilët, sipas tij, ishin edhe shkaktarët e incidenteve. Ministri mbrojti Ademin, i cili sipas tij nuk ishte dakord që janë përjashtuar sportistët olimpistë nga votimi. Ai shtoi se momenti i përfshirjes së Ademit në incidentet e dhunshme, ishte vetëm fundi, pasi sipas tij, ishin truprojat ata që dhunuan sportistët disa orë më parë. Në Parlament reagoi edhe deputeti Blendi Klosi, i cili nënvizoi se "nuk i takon një ministri të bëjë propagandë para procesit zgjedhor".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›