E Diel, 1 Nëntor 2026

Ishinger: EULEX-i do të punojë mbi bazën e udhëzimeve të BE-së

Ish-ndërmjetësi i BE-së, në bisedimet shtesë për statusin e Kosovës, ambasadori Volfgang Ishinger, ka deklaruar se misioni evropian për drejtësi dhe polici do të punojë mbi bazën e udhëzimeve dhe të mandatit nga BE-ja. Ai tha se misioni i EULEX- it është vonuar me muaj të tërë në vendosjen e tij në Kosovë dhe se është humbur kohë për shkak të vështirësive ligjore dhe politike. Në një intervistë me BBC-në, ambasadori Ishinger e cilësoi vendosjen e EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës si një hap të rëndësishëm, i cili sipas tij, do të çojë drejt vendosjes së punës praktike, si dhe të kontakteve rreth çështjeve praktike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. "Unë besoj se vendosja e EULEX-it është një sukses i madh, një sukses i pritur gjatë dhe unë do të doja që kjo të kishte ndodhur pesë muaj më parë. Por është e mirë që kjo po ndodh tani, megjithëse ka shumë pikëpamje se çfarë në fakt kjo nënkupton, i përcjellë me këtë vendim për vendosje, i marrë në Kosovë dhe në Beograd", thotë Ishinger. Ai tha se Beogradi tani do të duhej të ndihmojë që popullata serbe në Kosovë të inkurajohet që të bashkëpunojë me EULEX-in. Sipas tij, nëse Beogradi është këmbëngulës në vendimin politik për vendosjen e EULEX-it në Kosovë, atëherë popullata serbe duhet të dëgjojë porosinë që vjen nga Serbia dhe të bashkëpunojë me misionin evropian për drejtësi dhe polici. Ishinger thotë se "EULEX-i do të punojë mbi bazën e instruksioneve që ka nga BE-ja. Dhe pikë! Në rregull. EULEX-i do të ketë mandatin e tij dhe urdhrat e udhëzimet do të vijnë nga Brukseli dhe jo as nga Berlini as Uashingtoni dhe as nga Beogradi e gjetiu".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›