E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkruan e përditshmja britanike "The Indipendent": Pavarësia e Kosovës ndihmoi stabilitetin në rajon

Shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të këtij viti, pavarësisht nga sa flitet, sidoqoftë, e ndihmoi stabilizimin e të gjithë rajonit të Ballkanit, shkruan, midis të tjerave, gazeta e mirënjohur e Londrës "The Indipendent" në një koment kushtuar vendosjes së EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës. Gazeta vë në dukje se, veç kësaj, krijimi i këtij shteti të ri ballkanik po kalon shumë më mirë sesa parashikohej dhe sesa shpresonte dikush. Sipas kësaj gazete që, përgjithësisht, konsiderohet si mbështetëse e operacioneve të Bashkimit Evropian dhe mbrojtëse e fortë e pavarësisë së Kosovës, Brukseli bëri mirë që dërgoi misionin e tij EULEX që ka si qëllim të forcojë rendin e ligjin dhe shtetin e së drejtës në Kosovë. Ajo që duhet të bëjë EULEX-i në Kosovë, vë në dukje gazeta e lartpërmendur, është ta rrisë ndikimin e BE-së atje në atë mënyrë që të rritet edhe fryma e tolerancës e fleksibiliteti, respektimi i ligjit dhe i së drejtës. EULEX-i në Kosovë, ashtu si edhe misioni ushtarak i BE-së në Bosnjë e Hercegovinë, tregojnë sesa shumë ka ndryshuar BE-ja që nga koha e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, kur të gjithë e patën të qartë se Bashkimi Evropian nuk ishte në gjendje të operonte jashtë kufijve të vet, konkludon gazeta londineze "The Indipendent".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›