Rexhepi: Të shtohen lagjet me popullsi të përzier
Gjendja e sigurisë dhe vendosja e EULEX-it në veri të vendit u biseduan në një takim të ambasadores së Francës në Kosovë, Delphine Borione, që u zhvillua dje në Mitrovicë me kryetarin e Komunës, Bajram Rexhepi. Ai i tha ambasadores se strukturat komunale mbështesin punën e EULEX-it dhe janë të gatshme për bashkëpunim të ngushtë, në mënyrë që edhe në veri të vendoset rendi dhe ligji. Sipas zyrës së shtypit të komunës, ambasadorja Borione shfaqi kënaqësinë për vendosjen e pjesëtarëve të misionit evropian për rend dhe ligj pa problem edhe në veri, ku gjatë muajve të fundit ka pasur situata të tensionuara. Ajo çmoi gjithashtu përkushtimin e strukturave vendore për bashkëpunim me pjesëtarët e EULEX-it, gjë që krijon rrethana të mira për suksesin e këtij misioni. Kryetari Rexhepi e njoftoi ambasadoren Borione se gjendja e sigurisë në përgjithësi është e qetë, përkundër disa incidenteve që kanë ndodhur në veri të Mitrovicës gjatë ditëve të fundit, ku persona të strukturave paralele kanë dëmtuar veturat zyrtare dhe ato me targa "KS". Ai tha se në veri, në lagjet me popullatë të përzier duhet të shtohen masat e sigurisë në mënyrë që të parandalohen incidentet dhe tensionimi i situatës. Më 9 dhjetor, në një takim të autoriteteve më të larta të vendit dhe të misionit evropian, fillimi i punës së misionit të EULEX-it atë ditë është përshëndetur në emër të presidencës së BE-së nga ambasadorja franceze në Prishtinë, Borione.