Braçe: Po transferohen rrufeshëm brenda ditës 9 vendburime të naftës
Deputeti i Partisë Socialiste në Qarkun e Fierit, Erjon Braçe, denoncoi sërish atë çka e cilëson transferim rrufe i burimeve natyrore.
Vetëm 10 ditë pas miratimit në qeverinë e pushuar nga puna të 9 marrëveshjeve hidrokarbure, të cilat lëshojnë tek një privat 9 vendburimet e fundit të naftës e gazit nën administrimin publik, Ferdinand Murati- drejtori politik i Albpetrol dhe Florion Mima-ministër politik për Ekonominë, kanë urdhëruar dorëzimin e menjëhershëm brenda ditës së sotme të të gjitha vendburimeve, posaçërisht të vendburimeve të gazit në Frakull, Povelçë, Divjakë, Ballaj e Kryevidh, u shpreh Braçe.
Sipas tij, nuk ka ndodhur në asnjë rast të mëparshëm të marrëveshjeve hidrokarbure kjo praktikë në dorëzimin e vendburimeve.
Dua ti bëj thirrje edhe një herë ministrit dhe drejtorit politik të Albpetrol: Tërhiquni! Minister, ti me plot zë the tre ditë më parë se ministrat e mazhorancës së re do të kenë mundësinë dhe të drejtën të hetojnë çdo letër koncesioni. Kështu të bëhet! Ti tërhiqu nga veprimet në terren para hetimit të praktikës. Veçanërisht kur bëhet fjalë për asete që ende janë të listuara në një proces privatizimi të pambyllur. Posaçërisht kur bëhet fjalë për mijëra punëtorë që do të flaken në rrugë, u shpreh Braçe./lajmifundit.com