Braçe: Presidenti u zgjodh në këmbim të koncesioneve të naftës

Erjon Braçe
Qeveria shqiptare ka nënshkruar një marrjesh me një kompani të huaj për privatizimin e një zonë për kërkimin e naftës, gjatë kohës që bëhej zgjedhja e presidentit.
Këtë fakt e ka bërë të ditur deputeti socialist, Erjon Braçe, i cili ka hedhur dyshime të forta për mënyrën e privatizimit të zonës së kërkimit të naftës në favor të një kompanie të huaj, në një moment kur e tërë vëmendja e publikut dhe politikës ishte përqendruar tek zgjedhja e presidentit.
Braçe bëri publike dokumentet zyrtare që tregojnë një vendim të qeverisë, që sipas tij paralajmëron një tjetër aferë korruptive në fushën e koncesioneve në naftë. Vendimi miraton një marrëveshje për kërkim nafte mes qeverisë shqiptare dhe një kompanie izraelite të regjistruar në Qipro për një zonë mbi 5 mijë kilometër katrorë në det, e cila ishte dhënë më parë si territor që do të privatizohej me Albpetrolin.
Momenti, në të cilin qeveria nënshkroi marrëveshjen i rrit edhe më shumë dyshimet për një aferë jo transparente. Vendimi i qeverisë u mor pikërisht në vigjilje të zgjedhjes së presidentit, duke hedhur dyshime se këto koncesione ekonomike janë shkëmbyer me koncensione politike në këmbim të votave për presidentin, tha deputeti socialist.
Sipas tij, marrëveshja që i jep kompanisë Emanuel Adriatic Enerxhi me seli qendrore në Izrael, por e regjistruar në Qipro, është grabitja e radhës që qeveria po i bën pasurisë më të madhe të vendit në favor të klientëve të saj.
Zona prej 5070 kilometër katrorë, në të cilën kompania qipriote do të kërkojë për naftë më parë ishte pjesë e privatizimit të Albpetrolit, në të ashtuquajturën lista C. Por, me një vendim të papritur, teksa procesi i privatizimit të Albpetrol kishte nisur dhe 7 kompani kanë tërhequr dokumentet, qeveria e ka hequr këtë zonë nga harta e Albpetrol, duke ja dhënë kompanisë qipriote. /E.L/