Dy persona kapen me 20 kg marijuanë

Policia Korçë / foto arkiv
Korçë- Dy shtetas, Sotiraq Demirazi, 34 vjeç, dhe Ilir Orgocka, 31 vjeç, u kapën nga policia në lagjen nr 9 me më shumë se 20 kg lëndë narkotike të llojit marijuanë. Arrestimi i tyre u bë nga Sektori Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë të Qarkut Korçë, gjatë operacionit të koduar Transportuesit.
Dy shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim me njëri-tjetrin merreshin me shitje në sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike në këtë qytet.
Në momentin e ndalimit policia iu sekuestroi në cilësinë e provës materiale 20 kg e 290.4 gramë lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë, 3 aparate celularë, 1 automjet tip Benz me targa KO 27-44 B, dhe 1 automjet tip Audi A-6 me targa AA 200 CA. /V.H/