Braçe: Prokuroria, e nënshtruar nga qeveria
Partia socialiste adresoi dje akuza ndaj prokurorisë për mos nisje të hetimeve për shembjen e tunelit të Thirrës. deputeti socialist Erion Braçe shprehu habi ndaj qëndrimit të deritanishëm të organit të akuzës ndaj rrugës Rrëshen-Kalimash. “Ne e konsiderojmë të pa pranueshëm heshtjen e prokurorisë, mungesën e saj ligjore në kryerjen e veprimeve hetimore në dokumentin e këtij dëmi ekonomik kolosal. Është papranueshme që Prokuroria të veprojë ligjërisht vetëm në rastet e vrasjeve apo vdekjeve, si pasojë e pasigurisë në punë e sipër në këtë rrugë. Mungesa edhe për më tej e Prokurorisë në kryerjen e veprimeve të domosdoshme hetimore po shton dyshimet e arsyeshme për nënshtrim të saj, daljen jashtë funksioni, për shkak të dhunës që vjen nga kultura qeveritare e pandëshkueshmërisë”, u shpreh deputeti socialist gjatë një konference për shtyp në selinë rozë. Në emër të PS-së, Braçe i kërkoi prokurorisë ti japë shpjegime publikut për këtë qëndrim të saj për një nga veprat më të rëndësishme të ndërtuara ndonjëherë në vend. “Ne, në emër të të gjithë qytetarëve taksapagues, kërkojmë sot me forcë, një shpjegim publik nga Prokuroria për arsyet e moskryerjes së veprimeve hetimore në vendin e ngjarjes, në dokumentin e këtij krimi ekonomik! Tuneli i shembur, tunelet e mbyllura për arsye të qarta sigurie, rruga e mbyllur për shkak të tyre, janë prova faktike”, u shpreh Braçe.