E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeni gjurmues i policisë largohet nga komisariati

 

BURREL - Komisariati i policisë nuk e ka më qenin që ndiqte autorët e krimit. Burime të sigurta informacioni bëjnë të ditur se ai është rikthyer në “shkollën e qenve” në Tiranë pasi është mplakur dhe ka humbur reflekset. Mungesa e tij u duk kur efektivat e policisë Burrel nuk e dërgonin atë në ndeshjet e futbollit. Inspektori që merrej me trajtimin e qenit nuk pranon të prononcohet, por burime të tjera pranë policisë së Burrelit thonë se ai është larguar prej muajsh nga ky komisariat dhe nuk ka të dhëna nëse do të kthehet qeni i mëparshëm, do të sillet një tjetër apo nuk do të ketë fare qen ere në këtë qytet. Në fakt as në Bulqizë nuk ekziston qeni për ndjekjen e gjurmëve të keqbërësve, por ky rreth është konsideruar një rreth i vogël dhe nevojat e tij i mbulonin komisariatet e Matit e Dibrës. Mungesa e qenit në komisariatin e Burrelit është komentuar dhe në mënyra të tjera. Thonë se duke larguar qenin kanë dërguar punonjësin e policisë në detyra të tjera. Mungesa e efektivave të policisë për shkaqe të ndryshme ka ndikuar që qeni të dërgohet në Tiranë, duke pretenduar se ai i ka humbur reflekset e mëparshme, ndërkaq specialisti që merrej me trajtimin e tij dhe dërgimin në vendngjarje ka kaluar në detyrë tjetër, kryesisht roje e objekteve të rëndësisë së veçantë. Ndërkaq specialistë të policisë lokale shprehen se është i gabuar vendimi për të hequr qenin që merrej me zbulimin e gjurmëve të autorëve të ngjarjeve kriminale dhe se ai apo një qen tjetër duhet kthyer patjetër në komisariatin e Burrelit.   h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›