E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Prokuroria të hetojë Bashën e Olldashin

Partia Socialiste vijoi dje me kërkesën për transparencën e shembjes së tunelit të Thirrës në rrugën Durrës-Kukës. Deputeti i kësaj partie, Erjon Braçe, paraqiti një dokument të Ministrisë së Financave, por që mban firmën e ministrit të Transporteve, i cili tregon se si është rritur vlera e çmimit të një kilometër rruge në 6 muajt e parë të vitit, dhe kjo pa asnjë shkak, duke kërkuar që të nisin hetimet. Braçe tha se PS nuk flet tani për herë të parë për këtë operacion kriminal, përmes së cilit po vidhen shqiptarët. "PS nuk ka folur politikisht, por ligjërisht për këtë çështje, madje deri në detaje teknike. Ky nuk është një debat politik mes opozitës e qeverisë. Akuza juridike deri më sot është përfaqësuar nga institucionet kushtetuese që e kanë ngritur atë. KLSH, Prokuroria e Shqipërisë, kanë bërë detyrën e tyre ligjore, deri në një farë mase, duke zbardhur e denoncuar operacionin më kriminal deri më sot me punët publike në Shqipëri", tha ai.

Braçe sqaroi se shqetësimi i përsëritur kanë qenë procedurat anti-ligjore, korruptive e kriminale- nga pikëpamja penale, të qeverisë së Sali Berishës në prokurimin e këtij operacioni kriminal, çka sipas tij kanë shtuar kostot në mënyrë marramendëse në ndërtimin e kësaj rruge, të cilat janë materializuar në shpërdorime po kaq të mëdha të parave publike të shqiptarëve. "Kontrata e qeverisë me kompanitë ka qenë për vlerën 416 mln euro, Sokol Olldashi e ka çuar vlerën fillimisht në 520 mln euro, Sokol Olldashi e ka çuar vlerën sërish në 740 mln euro, FMN nga të dhënat e saj vënë në dispozicion nga qeveria e tregon faturën në 826 mln euro", deklaroi Braçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›