E Diel, 1 Nëntor 2026

Pollo, superministri pa portofol i Berishës

Ministri i Shtetit, Genc Pollo, do të ketë nën patronazh edhe sektorin e Telekomunikacioneve në vend. Lajmin e bëri publik dje ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, i cili për një kohë të gjatë ka pasur edhe sektorin e Telekomunikacioneve. Duke folur në komisionin parlamentar të veprimtarive prodhuese, rreth progres-raportit mbi situatën e tregut të komunikimeve në vend, Olldashi sqaroi se ky sektor ka kaluar si portofol te ministri i Shtetit. Megjithatë, Olldashi bëri një ekspoze të punës rreth aktivitetit të Entit Rregullator të Komunikimeve Elektronike, duke evidentuar standardet e arritura. Për këtë shkak, kryetari i komisionit, Jemin Gjana, sugjeroi që në mbledhjen e ardhshme të thirret për informime të mëtejshme ministri përkatës, që në këtë rast është Genc Pollo.

Bashkë me funksionin e ri, ministri Pollo bëhet zyrtari më i rëndësishëm në qeveri, që nuk është pak për postin e Ministrit të Shtetit, i cili me ligj nuk ka portofol, por vetëm dy zyra në Kryeministri. Ministri i Shtetit është ngarkuar me vendim qeverie të mbajë marrëdhëniet e qeverisë me Kuvendin. Verifikimi i titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore është një tjetër detyrë e lënë në duart e Genc Pollos. Misioni për Pollon vazhdon, pasi drafti i përgatitur nga ish-zv.kryeministri i qeverisë së "vjetër" për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave tashmë kalon në kompetencën e ministrit të Shtetit. Një muaj më parë, Kryeministri Sali Berisha vendosi në mbledhjen e qeverisë që komisioni për dhënien e statusit të dëshmorit të atdheut të drejtohet jo më nga zv.kryeministri, por nga ministri i Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›