E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: “Prokuroria të hetojë pasurinë e Berishës”

Autori i Lajmit: Redaksia
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, akuzoi kryeministrin Sali Berisha si grabitësin më të madh të pasurisë publike e private. “Sali Berisha guxoi të flasë për pronat, trojet në qytet, tokat bujqësore në ultësirë dhe tokat në bregdet! Grabitësi më i madh i pasurisë publike, pasurisë private, në krye të “familjes” që na qeveris, ka nisur të flasë pas legjitimimit me ligj të grabitjes më të madhe të trojeve publike e private në Bregdet, nga Velipoja në Sarandë! Bëhet fjalë për ligjin nr. 10186 datë 5.11.2009, “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”. Bëhet fjalë për një sipërfaqe toke që sipas raportit të KLSH arrin në 23,5 hektarë, pra 235 mijë metra katrorë! Bëhet fjalë për 9 kompani, kliente politike e ekonomike të “familjes” Berisha! Bëhet fjalë për të paktën 15 klane, ministra, ish-ministra, zëvendësministra, guvernatorë, deputetë, biznesmenë që pronësohen përmes grabitjes më të madhe në historinë e Shqipërisë”, - tha Braçe. Sipas tij, secili përfiton nga kjo grabitje minimumi 200 m2 truall në mes të pishave, në zonë të mbrojtur, buzë detit në bregdet. PS tha ai, i kërkon me forcë ILKPD të bëjë detyrën kushtetuese, të verifikojë gjendjen skandaloze të konfliktit të interesit ku ministra e deputetë miratojnë një ligj që pronëson po ata dhe të kërkojë menjëherë përjashtimin e ministrave e deputetëve të përfshirë në këtë operacion të paligjshëm nga përfitimet prej këtij ligji! Si dhe i kërkon prokurorisë të nisë hetimet menjëherë për këtë rast flagrant të shpërdorimit të detyrës nga kryeministri dhe ministrat përfitues.

Ky lajm është publikuar: 27/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›