E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Jam i shqetësuar për shëndetin mendor të Berishës”

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i konsideroi monstruoze akuzat e bëra dje ndaj tij nga Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Parlament. Sipas tij, “në vigjiljen e një feste të madhe fetare, Sali Berisha hyri në shtëpitë e shqiptarëve me një shkulmë të pafre shpifjesh e sharjesh në adresën time, që shqip do të quhej me libër shtëpie e shoqërie, dhe më tej akoma, deri në akuza monstruoze për krime e lidhje me kriminelë. Jo vetëm kaq, por kërcënoi opozitën e mediat opozitare me një gjuhë që na turpëroi të gjithëve si shqiptarë për Kryeministrin që kemi në vitin 2009 në mes të Evropës”. Rama sqaroi më tej se reagoi pas këtyre akuzave të Berishës, sepse ishte i shqetësuar për shëndetin mendor të tij. “Dua të ndaj me të gjithë ju shqetësimin për ekuilibrin mendor të njeriut që ka në dorë Qeverinë e Shqipërisë në këto orë të vështira për vendin, për demokracinë, për shtetin e së drejtës, për ekonominë shqiptare. Vendi është në udhëkryq. Demokracia është në rrezik. Shteti i së drejtës ka rënë. Ekonomia shqiptare po falimenton. Dhe ne të gjithë drejtohemi nga një njeri që, bashkë me ekuilibrin mendor, ka humbur vetë aftësinë për ti fshehur ato që fatkeqësisht mendon me të vërtetë për demokracinë, për lirinë e të drejtat e njerëzve në Shqipëri, për opozitën, për të gjithë ata që thjesht nuk e duan për të parin e vendit dhe për vetë normat më elementare të edukatës qytetare”, - tha ai. Sipas tij, kohën që opozita i dha për reflektim Sali Berishës, ai e ktheu në kohë për tërbim. “Me të kuptuar se kërkesa për hapjen e kutive të 28 Qershorit nuk ishte asfare një lojë e vogël politike, po një vullnet i madh popullor, Sali Berisha ka humbur krejt fillin e arsyes, është mbërthyer nga paniku i ballafaqimit me popullin e vet dhe është lëshuar në një sulm vetëdiskretitues duke e nxjerrë edhe më shumë në dukje atë që mundohet të fshehë. Sali Berisha i ka grabitur zgjedhjet dhe sot kjo është edhe më e qartë se dje”, - pohoi kryetari socialist. Rama shtoi se janë të kota thirrjet e hajdutit, kapeni hajdutin. “Sali Berisha nuk e fsheh dot përfshirjen e familjes e të tarafit të tij në kapjen e qeverisë për përfitime të paligjshme, duke sulmuar të ndjerin babanë tim. Sali Berisha nuk e mbulon dot masakrën elektorale, duke përgojuar nënën e djalit tim dhe pa kursyer as gjyshen e djalit. Skam baltë për ti kthyer në këmbim të baltës që hodhi pa kursim mbi mua e mbi kë mundi sonte. Por është e sigurt si dielli që do të lindë nesër se, i kthyer si sot, në një dordolec që zor se do ta pranonte edhe ndonjë fshat për ta vënë në arë për trembjen e laraskave, Sali Berisha nuk frikëson dot askënd. Jo më popullin e opozitës.

Ky lajm është publikuar: 27/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›