E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Qeveria, e përfshirë në krizën e ARMO-s

Partia Socialiste vijon të këmbëngulë se familja kryeministrore është e përfshirë në konfliktin që u krijua një javë më parë me ARMO-n. Deputeti socialist, Erjon Braçe, tha se qeveria e familjes në pushtet vazhdon të jetë hermetike dhe e errët, në trajtimin qeveritar që po i bën krizës së kompanisë ARMO dhe deformimit kriminal të tregut të karburanteve. Madje, sipas Braçes, familja kryeministrore po mundohet ta trajtojë çështjen politikisht, duke detyruar "administratorin e deleguar" të hyjë në debat politik me opozitën. Megjithëse deputeti socialist mendon se është rruga më e gabuar që kanë zgjedhur dhe se debati me opozitën i një kompanie në krizë nuk e shpëton dot atë, por as qeverinë që ka përgjegjësinë maksimale si bashkëpronare me të. "Kjo në publik, në ministri, në qeveri po punohet ethshëm për një operacion shpëtimi që i fal kësaj kompanie miliona euro borxh, duke nisur nga një vendim me vlerë 300 mln lekë të reja mbetur peng prej dy mbledhjesh në qeveri, për shkak të paligjshmërisë së tij", tha Braçe në komunikimin e tij me mediat. Braçe iu referua vendimit të Gjykatës Kushtetuese për monopolin e hidrokarbureve. Sipas tij, në vendimin kushtetues, në ligj dhe kontratë, janë shkruar një sërë detyrimesh dhe është caktuar me ligj Ministria e Ekonomisë të kontrollojë ligjshmërinë në treg, por edhe zbatimin në detaje të kontratës së shitjes. Ndaj Braçe shtroi pyetjen se interesat e kujt po mbron Ministria e Ekonomisë, pasi deri tani nuk ka asnjë akt ligjor të Ministrisë së Ekonomisë, dërguar qeverisë për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, në rastin e ARMO-s ministria ka detyrimin ligjor ta bëjë këtë çdo vit, ministria është bashkëpronare tek ARMO me 15% të aksioneve dhe duhet të kishte interes të përditshëm për këtë plan investimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›