Topi, Topalli e Meta takojnë Theodhorin II
Kreu i shtetit Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, takuan dje Papën dhe Patriarkun e Aleksandrisë, Theodhori II. Kjo është vizita e parë e këtij niveli në Shqipëri. Kryetarja e Kuvendit theksoi se harmonia dhe toleranca mes feve në vendin tonë është një thesar i rrallë, që e ka shndërruar Shqipërinë në një vend model për të tjerët. Presidenti Topi nga ana tjetër e cilëson Shqipërinë një vend të stabilizuar politikisht dhe ekonomikisht, ku respektohet dhe garantohet liria fetare. Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, rikonfirmon vullnetin e qeverisë shqiptare për t‘i ndihmuar besimet fetare në vend, duke theksuar rolin e tyre të rëndësishëm. Patriarku Theodhori II shprehu gjithashtu dëshirën e tij për ta parë shefin e diplomacisë shqiptare së shpejti në Egjipt.