Braçe: Të ndryshojnë strukturat drejtuese të PS-së
Sfidat e reja kërkojnë një fizionomi të re politike. Partia Socialiste duhet të reformojë vizionin e saj për të ardhmen, duke e parë me një sy tjetër realitetin dhe natyrën e marrëdhënieve me qytetarët. Këto janë disa prej mesazheve politike, që deputeti Erjon Braçe përcjell në këtë intervistë për gazetën “Shqip”, ku ai, në shërbim të idesë qendrore të rrëzimit të Sali Berishës, apelon për një riorganizim të partisë dhe një operacion të thellë në programin e saj. Sipas tij, protesta është e vetmja kontratë që PS mund të bëjë me qytetarët, në emër të ruajtjes së demokracisë. Një qëndrim ky radikal, që në pamje të parë të ofrohet si një funksion eksponencial i krizës politike në vend. Korrupsioni dhe abuzimi i qeverisë, normalizimi i vjedhjes si atributi i parë i pushtetit janë në vështrimin e deputetit socialist arsye të mjaftueshme që të orientojnë aksionin e opozitës drejt synimit për zgjedhje të parakohshme. Nevoja për ndryshimin e kësaj situate të lindur në shtratin e sëmurë të tranzicionit ndihet edhe në drejtimin e Partisë Socialiste, e cila, sikurse thotë Braçe, tashmë ka nevojë që të funksionalizojë misionin e saj, duke lënë pas pengesat që vijnë nga interesat e ngushta.
Z. Braçe, Asambleja Kombëtare e PS-së, ka formalizuar vendimin politik për protesta në mbarë vendin. Pa vënë në dyshim drejtësinë e këtij vendimi, mendoni se PS-ja mund të realizojë një objektiv të tillë, që duhet thënë se, edhe në aspektin organizativ, është i vështirë?
Nuk ka më asnjë dyshim, PS po e bën këtë. Prej disa ditësh, protestat kanë nisur. Fundjava ka të kalendarizuar disa të tilla në çdo anë të vendit, duke planifikuar të mbledhim mijëra njerëz që shprehin kundërshtinë e tyre ndaj një qeverie dukshëm antipopullore. Pakënaqësia është e madhe dhe e nxehtë!
është legjitime kjo rrugë?
është kushtetuese! Natyrisht, demokratike. Mbështetur në një kauzë të fortë.
Në 20 vitet e shkuara, kemi rrëzuar një regjim diktatorial, kemi rrëzuar një regjim autokratik, por nuk kemi arritur të bëjmë demokracinë të funksionojë. Beteja e sotme është për të. Në thelb të saj qëndron Liria, liritë politike dhe ato civile.
Testi për një demokraci funksionale janë zgjedhjet e lira, liria e kundërshtimit dhe e shprehjes. Tashmë është kombëtar dhe ndërkombëtar fakti se qeveria nuk organizoi zgjedhje, por vjedhje. Vjedhjet ishin të lira! Ndërkohë, liria e shprehjes ka njohur rënie të fortë në indeksin matës të saj për median e shkruar dhe elektronike. Por më i fortë është kufizimi i lirisë së shprehjes, si e drejtë themelore e individit. Njerëzit kanë frikë të flasin! Më keq, institucionet nuk kanë më në themel të tyre vullnetin e popullit. Ato funksionuan për ta dhunuar popullin!
Unë besoj se kaq duhet të mjaftojë për të organizuar dhe udhëhequr një kundërshti të madhe dhe demokratike, popullore, ndaj qeverisë. E kemi ende lirinë për ta bërë këtë. Më besoni, ka mbetur e vetmja mundësi për ta bërë demokracinë të funksionojë!
Ju po tregoni qeverinë si fajtore dhe kërkoni largimin e saj, ndërkohë që qeveria ju akuzon se po kërkoni pushtet me dhunë. Nuk ndjeheni fajtorë për këtë klimë konfliktualiteti në rritje?
Demokracia është më e rëndësishme se çdo qeveri! Për më tepër kur referenca është një qeveri e poshtër, produkt i një sistemi të korrupsionit politik, ekonomik, në fund, elektoral. Dua të theksoj: ne duam të bëjmë demokracinë të funksionojë, nuk duam pushtetin e Sali Berishës. Pushtete të tillë kanë treguar që janë të përkohshëm. Ato nuk e garantojnë demokracinë, kufizojnë liritë politike e civile. Kjo ishte gjëja më e keqe që mund të na ndodhte, kjo po konsumohet. Ndaj largimi i qeverisë, praktikisht është çlirim! Ne nuk po kërkojmë zgjidhje simetrike, mobilizim të fortësh, gangsterë gjithfarësh dhe parash të pista për të “garuar” në një palë zgjedhje të radhës. Jo. Ky pushtet është edhe më i përkohshëm! është pushteti i gangsterëve që na qeverisin, që hanë e pinë, vjedhin e pasurohen, duke u paguar nga taksat tona! Nuk kanë turp nga korrupsioni i tyre, janë krenarë që na vjedhin, poshtërojnë e vrasin. Ky është sistemi i tyre. Ky sistem rrëzohet me forcën e njerëzve që çdo darkë numërojnë qindarkat e punës së ndershme, për të paguar faturat e qeverisë së korruptuar.
Slogani juaj, “Hap kutitë ose largohu”, është shtuar në nisje të këtyre protestave me një tjetër, “Ndal rrënimit ekonomik”. Ky është ridimensionim i thelbit të protestave?
“Stopi” i fortë në funksionimin e demokracisë, i shoqëruar me krizën e thellë politike dhe institucionale, dukshëm po ridimensionon krizën ekonomike globale në krizë kombëtare, ku shkaku kryesor tani është keqqeverisja! Sali Berisha, Kryeministri që me vetëdije po kufizon liritë politike e civile, po mundohet të bindë shqiptarët se, rritja ekonomike më e lartë në Europë (e propaganduar, por e pandodhur), rritja e pagave dhe pensioneve (e thënë, por e pandodhur për shkak të rritjes së frikshme të çmimeve) i bëjnë të padobishme liritë politike e civile. Në fakt, nuk është kështu. Rënia e fortë ekonomike që të gjithë po e ndiejnë në lëkurë të tyre deri të fëmijëve, pasiguria ekonomike e shprehur hapur për të tashmen dhe si projeksion për të ardhmen afatshkurtër, ka lidhje me mungesën e të drejtave dhe lirive demokratike. është momenti kur qeveria nuk ka më frikë nga populli! Qeveria është në kushtet kur drejtimi i saj është ndarë nga procesi i kontrollit dhe kundërshtimit demokratik! Zgjedhjet e lira, liria e shprehjes dhe kundërshtimit, janë instrumentet që e bëjnë një qeveri të jetë e përgjegjshme për politikat ekonomike e sociale të saj, por edhe të mbetet e ndershme në administrimin e të mirave publike. Njerëzit gjykojnë me votë. Kur qeveria këtë hall e zgjidh duke vjedhur votat, atëherë interesi i saj për mirëqeverisjen nuk ekziston më! Tamam kështu, kufizimi i lirive politike prodhon keqqeverisjen, pasojat e së cilës pa diskutim që dëmtojnë rëndë ekonominë kombëtare, më ngushtë, ekonominë familjare!
Kjo po ndodh!
Lidhur me zhvillimet në PS, keni mbledhur në një kohë të shkurtër dy herë Asamblenë, po ndryshon Statuti dhe Programi, do të mblidhni Kongresin. Keni miratuar një projekt për ta kthyer PS në strukturën e saj tradicionale, por keni rrëzuar një propozim konstant për oponencën kolektive. Cili është vlerësimi për këto ndryshime në Statut?
Shikoni, ne jemi në mes të një beteje që kërkon doemos të jemi të mirorganizuar, funksionalë dhe efikasë në çdo strukturë. Pikërisht korrigjimi i çdo të mete në funksionimin tonë organizativ, i shquar gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit, është jetik.
Po kaq jetik është edhe kurimi i çdo qelize partiake, për ta bërë të qëndrueshme dhe demokratike. Për pasojë dhe vendimmarrjen e tyre, të konsultuar gjerë, debatuar, votuar, pra legjitime. Forca dhe fuqia e PS-së ka buruar nga këtu! Ndryshimet në Statut janë shkruar nën këtë frymë. Riformatimi i disa strukturave gjithashtu synon rritjen e koordinimit të veprimeve të çdo qelize partiake. Besoj se ky është shqetësimi i të gjithë socialistëve që duan një parti më të mirë, demokratike, të hapur, të lirë, funksionale, por edhe me rregulla e fituese. Liria brenda një partie nuk është ajo e ishullit, as e pyllit. Kur zgjodhëm të jemi pjesë e PS-së pranuam rregullat e saj, të cilat, administrojnë lirinë e secilit si liri e përbashkët. Pra liria jonë në Parti është liri institucionale, me mendim, debat, konkurrim, alternativë, votim të lirë. Unë besoj se është shumë e rëndësishme të garantohen këto, për çdo anëtar dhe çdo strukturë të PS! T’ju them të drejtën, “opozita e opozitës” nuk më ka rastisur ta kem hasur kund si vlerë! Për më tepër, “opozita” ime ndaj “opozitës së opozitës” nuk besoj se i intereson kujt!
Për çfarë arsyesh, prej kohësh, nuk funksionon siç duhet Kryesia e PS-së dhe Sekretariati është gjysmak. A duhen rifreskuar këto struktura dhe mbi cilat parime?
Keni të drejtë! Ne, sot jemi pa Kryesi funksionale të Partisë. është sharë e stërsharë Edi Rama për këtë! Por mendoj se jemi për pak kohë kështu, sepse është bërë e pamundur që Kryesia aktuale të funksionojë larg interesave personale dhe në shërbim të Partisë, duke pasur qoftë edhe një produkt minimal: të mos i bëjë dëm kauzës së përbashkët për votën e lirë! Kemi probleme të funksionimit në Sekretariatin ekzekutiv, në sektorët më kyç, atë politik e të strategjisë, programor, zgjedhor, organizativ etj., për shkak se objektivat e disa prej shokëve drejtues, janë dukshëm në kundërshti serioze, deri në veprim kundër e kalim përtej hendekut parimor e kushtetues që na ndan me Sali Berishën! Pra, kundër me atë që, deri tani, është aksioni politik i PS-së në mbështetje të kauzës për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri! Natyrisht që këto probleme do të mbyllen shpejt. Jo me fshesë, nuk është zgjedhje dhe nuk do të sjellë zgjidhje. Por mbështetur te një parim funksional: partia nuk mund të vihet në lëvizje e as të mbahet peng nga qëllime dhe interesa personale! E aq më pak nga paraja! Partia vihet në lëvizje nga qëllime të përbashkëta, që administrohen sipas rregullave të pranuara nga secili prej nesh! Qëllimet e përbashkëta bashkojnë, personalet, veçanërisht kur bien ndesh me rregullat, ndajnë. Në këtë kuptim, rifreskimi i strukturave nuk duhet të jetë çështje personale, nuk duhet përjetuar si e tillë dhe duhet, pa diskutim, t’i shërbejë funksionalitetit të Partisë!
Ndryshime do të ketë edhe programi politik i PS-së...?
Unë nuk mendoj se një revizionim i radhës i Programit Politik të PS mjafton! Shikoni, Programi ynë është ai që u shkrua në vitin 1992, shërbeu për transformimin e PS-së në një parti të majtë socialdemokrate dhe mirëvendosjen, funksionimin dhe pjesëmarrjen e saj, tani në një shoqëri që jetonte, funksiononte dhe zhvillohej në e prej Lirisë! Atë kohë kjo ishte jetike, për partinë, por edhe për Shqipërinë. Nga viti 1992, ky Program është revizionuar shpesh, janë mbartur përmirësime! Ndryshimet, kësaj here, nuk duhet të jenë një revizionim i radhës. Në 18 vite, secili prej nesh ka ndryshuar, partia ka ndryshuar, konceptet mbi të majtën, interesat e përfaqësuara prej saj kanë ndryshuar! Mbi të gjitha, po ndryshon koncepti për Lirinë. Liria po shihet sot, jo vetëm si mjeti kryesor i zhvillimit shoqëror. Zgjerimi i lirive po vlerësohet gjithnjë e më shumë si qëllimi themelor i zhvillimit! Gjithçka, në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetës. Prej këtej ka lindur një model i qartë dhe bindës i zhvillimit shoqëror dhe ekonomik, që e sheh “zhvillimin si liri”.
Dua të citoj “çmimin ‘Nobel’ në shkencat ekonomike”, Amartya Sen:
“Liritë nuk janë vetëm qëllimet parësore të zhvillimit, por janë gjithashtu ndër mjetet e tij kryesore. Përveç njohjes në themel të rëndësisë që ka liria për të bërë vlerësime, duhet të kuptojmë gjithashtu lidhjen e shkëlqyer empirike që bashkon liritë e llojeve të ndryshme me njëra-tjetrën. Liritë politike (në formën e fjalës së lirë dhe zgjedhjeve) ndihmojnë për të zhvilluar sigurinë ekonomike. Mundësitë shoqërore (në formën e arsimimit dhe shërbimeve shëndetësore) lehtësojnë pjesëmarrjen ekonomike. Lehtësitë ekonomike (në formën e mundësive për pjesëmarrje në tregti dhe prodhim) mund të ndihmojnë për të krijuar bollëk personal, si dhe burime publike për shërbimet sociale. Liritë e llojeve të ndryshme mund të forcojnë njëra-tjetrën”!
Unë mendoj se na duhet një debat mbi këtë model. Duke bërë pak mënjanë nga përqendrimi ekskluziv mbi rritjen ekonomike dhe të ardhurat për frymë, pra nga përfitimi, më tej përfitimi nga disa të drejta që kanë përparësi absolute, duke përfshirë dhe të drejtën e pronës, drejt lirive substanciale, heqjen e kufizimeve mbi këto liri dhe cilësisë së jetës! Në fund të fundit, çdo parti, përmirësimin e cilësisë së jetës të shoqërisë ka si qëllim fundor të saj! Unë mendoj se jemi në vendin dhe kohën e duhur! Nëse në vitin 1992 na duhej të pranonim, përshtateshim dhe të rriteshim me Lirinë, sot na duhet një Program i Lirisë! Në kushtet e një krize të thellë e të gjatë, që ka në bazë kufizimet dramatike të Lirisë, në mënyrë të përsëritur, kjo është gjëja e duhur për të përfaqësuar interesat e një populli të tërë të dhunuar në liritë e tij e mbetur pas, shumë pas, në zhvillim për këtë shkak!
A ka një strategji PS-ja për bashkëpunimin me aleatët dhe çfarë mund të ndryshohet në këtë drejtim, për të maksimalizuar rezultatin. Zoti Islami ka hedhur së fundi publikisht idenë se një koalicion sërish mes PS-LSI do të siguronte fitoren në zgjedhje...
Nuk ka ndryshuar ende asgjë! Besoj se shërbimi më i mirë që ne mund t’i bëjmë një koalicioni, tani, duhet të jetë forcimi organizativ dhe demokratik i PS! Një PS e fortë, demokratike dhe përfaqësuese është garanci për një aleancë të madhe dhe me popullin. Kjo është jetike për betejën për të kthyer demokracinë të funksionojë. Besoj se aleanca me popullin është shumë më e rëndësishme se sa 33% administrativ i Sali Berishës.
#