E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkohen 275 vite burg për organizatën Kanun

Itali Prokuroria jep konkluzionet për 35 anëtarët e rrjetit

Prokuroria italiane ka dhënë konkluzionet për organizatën kriminale “Kanun” në Itali, duke kërkuar 275 vite burg për ta. Prokuroria e Xhenovës kërkoi këtë dënim për 35 anëtarët e kësaj organizate. Për 15 anëtarë të këtij grupi është kërkuar dënimi nga 4 deri në 11 vite. Këto kanë qenë kërkesat e bëra në sallën e gjyqit nga zv/prokurorët e Xhenovës, Francesca Nanni dhe Silvio Franz. Kërkesat janë bërë në Gjykatën e Apelit, gjatë procesit kundër 54 shqiptarëve të arrestuar si anëtarë të organizatës kriminale “Kanun” (sipas emrit të kodit fisnor, që dikur rregullonte marrëdhëniet në Shqipëri). Të arrestuarit, sipas prokurorisë, bëjnë pjesë në mafien shqiptare në Itali dhe kontrollonin një rrjet të madh prostitucioni. Procesi në apel ka rinisur, pasi Gjykata e Kasacionit anuloi vendimet e mëparshme. Në dosje janë përfshirë akuzat ndaj 54 personave të kësaj organizate, e njohur si një bandë kriminale, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion, trafikun e armëve dhe drogës dhe vjedhjet me anë të nënshkrimit me dhunë. Në prill 2007, gjykata kishte dhënë në total 206 vite burg për të akuzuarit. Dënimi më i lartë ishte dhënë për kreun e organizatës, Haki Aleksi, i cili u dënua 30 vjet burg. Ndërsa dënimet e tjera shkonin deri në 11 vjet heqje lirie. Provat kryesore për prokurorinë në dhënien e dënimeve ishin denoncime dhe dëshmitë e vajzave, që ishin detyruar me dhunë të prostituonin. Autoritetet italiane, me ndihmën e Interpolit, kanë arrestuar gjithsej 164 persona të lidhur me çështjen. Tashmë pritet vetëm vendimi i Gjykatës së Apelit, për të dhënë dënimin ndaj shqiptarëve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›