E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy agjentët e krimeve, ushtri me 14 hajdutë

Preng Frroku dyshohet se informonte një grup, që merrej me vjedhje makinash në Tiranë

Kur kishin nisur hetimet për dy punonjësit e policisë në seksionin e vjedhjeve, të cilët u arrestuan pak ditë më parë, askujt nuk i kishte shkuar mendja se ata kishin një “ushtri” me 14 hajdutë, që punonin për ta. Por, faktet e reja kanë dalë në dritë ditët e fundit, pas arrestimit të tyre, pasi organizonin më së miri persona me precedentë penalë, që të vidhnin udhëtarët e autobusëve që shkonin te QTU-ja. Atyre u ishin vënë kushte që të çonin nga 300 mijë lekë të vjetra çdo ditë, ose e thënë ndryshe 9 milionë lekë të vjetra në muaj. Por veç grupit të krijuar prej tyre, aktiviteti kriminal ishte shtrirë edhe deri në Shkodër, ku Preng Frroku dyshohet se bashkëpunonte me një grup për vjedhjen e makinave.

Veprimtaria

Duke punuar për dokumentimin e plotë të veprave penale të dy punonjësve të policisë, Preng Frroku dhe Besnik Preni, grupi hetimor ka zbuluar se ata nuk zhvatnin para vetëm nga hajdutët e Kombinatit, pasi nga ana tjetër, kishin ndërtuar një grup edhe më të fortë. Sipas të dhënave, duke punuar për një kohë të gjatë me kontingjentin kriminal, kishin njohur shumë hajdutë, që më parë i kishin përdorur edhe si informatorë. Të gjithë hajdutët, të cilët vepronin dhe jetonin në zonën e Komisariatit nr. 3, i kishin grupuar, duke bërë 14 veta bashkë, në formën e një ushtrie. Për këtë arsye, atyre u kishin premtuar siguri që të mos preken nga policia, por në këmbim u kërkonin të gjithëve bashkë nga 300 mijë lekë të vjetra në ditë. Për këtë kishin rënë dakord dy palët dhe grupi i hajdutëve e kishte forcuar punën e vet në linjat urbane nga qendra e Tiranës te QTU-ja. çdo mëngjes mendohet se policët takoheshin me krerët e grupit dhe atyre u jepeshin “detyrat” e ditës. Nëse kishte ndonjë aksion nga policia, i njoftonin që atë ditë të mos dilnin për të vjedhur. Kështu, “ushtria e hajdutëve”, hipnin nëpër autobusë dhe plaçkitnin familjarë, që shkonin për të bërë pazar në QTU. Kjo bëhej çdo ditë, ndërsa dorëzimi i parave një herë në javë. Sipas të dhënave policore, takimi për dorëzimin e parave lihej ditën e martë. Paratë e mbledhura, dy efektivët i ndanin bashkë në mënyrë të barabartë. Kjo është kuptuar edhe më parë, pasi kur ishin në shërbim këta dy persona, nuk kapej asnjë “xhepist”, ndërsa kur dilnin të tjerë që nuk njiheshin, gjithmonë arriheshin rezultate. Tashmë, policia ka në dorë listën e 14 hajdutëve dhe numrat e tyre të telefonit dhe pritet që së shpejti të bëhen arrestimet përkatëse. Nga ana tjetër, mësohet se fluksi i denoncimeve në Komisariatin nr. 3 për vjedhje ka rënë ndjeshëm, ku specialistët e policisë tregojnë se që nga arrestimi i tyre ka pasur shumë pak denoncime për vjedhje portofolash dhe humbje dokumentesh.

Hajdutët e Shkodrës

Aktiviteti kriminal i tyre duket se ka qenë i shtrirë edhe më gjerë. Sipas të dhënave hetimore, veç Prenit, që dyshohet si informator i “Hijeve të Natës”, të cilët merreshin me grabitje kasafortash, mendohet se edhe Preng Frroku, i arrestuari tjetër, informonte një grup nga Shkodra, që vidhte makina në Tiranë dhe që ishte kthyer në tmerr për policinë. Nga faktet e mbledhura dyshohet se ai ka qenë i lidhur me tre persona, të cilët u goditën në një operacion në muajin nëntor të vitit 2009. Ky bashkëpunim me ta duket se ka ardhur edhe për shkak se Frroku ka punuar për një periudhë të gjatë në Shkodër dhe njohja e tyre ka qenë e hershme. Ai ndihmohej prej grupit të hajdutëve të Shkodrës për të spiunuar rivalët, ku janë bërë dhe disa goditje, por si kompensim dhe për fitim, i lejonte ata që të kryenin vjedhje mjetesh në zona të tjera të kryeqytetit. Vetëm dy ditë më parë, gjykata e kryeqytetit vendosi të mbajë në “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve, dy efektivët e Policisë së Tiranës, të arrestuar disa ditë më parë për akuzën e korrupsionit. Pasi dëgjoi provat e prokurorisë dhe kërkesën e avokatëve për masë më të lehtë sigurimi, gjykata vendosi mbajtjen e dy ish-oficerëve në gjendje arresti deri në fund të hetimeve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›