E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri-Mali i Zi, marrëveshje për drejtësinë

Kryeministri Berisha ka takuar dje ministrin e Drejtësisë të Malit të Zi, Mirash Radoviç. Kryeministri Berisha i shprehu ministrit Radoviç kënaqësinë për nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit midis ministrave të Drejtësisë të dy vendeve dhe shprehu besimin se bashkëpunimi në fushën e drejtësisë midis Shqipërisë dhe Malit të Zi do të njohë dimensione të reja në të ardhmen. Duke shprehur besimin se Shqipëria do të marrë ftesën për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshti, Kryeministri Berisha e njohu ministrin e Drejtësisë së Malit të Zi me ecurinë e reformave në disa fusha, me qëllim integrimin e vendit në strukturat euroatlantike. Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh se janë në rrugë të mbarë dy prej reformave shumë të rëndësishme për Shqipërinë, reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore, për të cilat ekziston mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me opozitën. Kryeministri falënderoi edhe një herë qeverinë e Malit të Zi për ngushëllimin e shprehur me rastin e tragjedisë së Gërdecit dhe e njohu ministrin Radoviç me masat e ndërmarra nga qeveria në të gjitha drejtimet për lehtësimin e kësaj ngjarjeje. Më tej, biseda u përqendrua në zhvillimet më të fundit në rajon dhe kryesisht në Kosovë. Duke theksuar se pavarësia e Kosovës ka hapur perspektiva të reja paqeje dhe stabiliteti në rajon, Kryeministri u shpreh se pavarësia e Kosovës do të ndihmojë Serbinë të shkëputet nga e kaluara dhe të shikojë drejt së ardhmes. Kryeministri tha se shqiptarët në Ballkan dëshirojnë të kenë marrëdhënie të mira me serbët. Si shembull të marrëdhënieve të mira me Malin e Zi Kryeministri përmendi projektin e përbashkët të pikës kufitare në Muriqan dhe tha se projekte të ngjashme i ka propozuar edhe kryeministrave të Maqedonisë dhe Kosovës. Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh se pret që Mali i Zi të njohë pavarësinë e Kosovës në një moment të përshtatshëm. Nga ana e tij ministri i Drejtësisë së Malit të Zi solli urimet e Kryeministrit malazez Gjukanoviç dhe u shpreh se qëndrimi i vendit të tij është për paqe dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›