"Shqipëria, e meriton nga ana ushtarake ftesën e NATO-s"
Shqipëria e meriton plotësisht nga ana ushtarake ftesën për t‘u anëtarësuar në NATO. Ky ka qenë mesazhi që ka përcjellë dje gjenerali leitnant Pirson, gjatë takimit që ka pasur me kreun e shtetit shqiptar, Bamir Topi, dhe me Kryeministrin Sali Berisha. Zv.komandanti i Forcave të Bashkuara në NATO theksoi përshtypjet më të mira për ndryshimet dhe arritjet pozitive të Forcave të Armatosura Shqiptare, për reformimin e plotë të tyre, duke vënë në dukje se Shqipëria, e cila ka vepruar prej kohësh si anëtare de facto e Aleancës së Atlantikut Verior, e meriton plotësisht nga ana ushtarake ftesën për anëtarësim nga Samiti i Bukureshtit. Ndërsa për anën politike, Shqipërisë i mbetet edhe shumë për të bërë për të qenë pjesë e NATO-s. Përpos kësaj, Shqipëria ka marrë vlerësimet më maksimale nga ana e ndërkombëtarëve, sidomos pala amerikane për të siguruar ftesën në Samitin e Bukureshtit. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti në Presidencë me rastin e ndërrimit të komandës së NATO-s në Shqipëri, zëvendëskomandantin e Forcës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, gjeneralin leitnant Pirson, gjeneralin brigadier Dimitrov, i cili e merr detyrën dhe gjeneralin brigadier Anastasios Rintis, i cili përfundoi mandatin njëvjeçar. Kreu i shtetit dhe njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë u uroi mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re gjeneralit brigadier Dimitrov dhe falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme të NATO-s dhënë vendit tonë. Presidenti i Republikës bëri një përshkrim të reformimit thelbësor të Forcave të Armatosura shqiptare, duke vënë në pah njëkohësisht edhe reformat e thella të ndërmarra në vend me konsensus të gjerë politik, si ajo në gjyqësor, reforma e pritshme zgjedhore, lufta pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Presidenti Topi theksoi mbështetjen e gjerë shoqërore prej gati 94% dhe atë të partive politike për hyrjen e Shqipërisë në NATO, duke nënvizuar se kjo mbështetje, së bashku me gatishmërinë e përgatitjen profesionale dhe të guximshme të forcave tona paqeruajtëse në Irak, Afganistan e Bosnjë-Hercegovinë na bën të ndihemi të sigurt në marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit, duke përmbushur kështu aspiratën e popullit shqiptar për t‘u integruar në strukturat euroatlantike.