Brace: Vendi në krizë nga keqqeverisja, nuk ka para për shpërblimet
TIRANE- Partia Socialiste ka reaguar sot për vendimin e Këshillit të Ministrave në lidhje me rrogat dhe shpërblimet e fundit për buxhetorët. Gjatë një komunikimi me mediat deputeti i PS, Erjon Brace tha se qeveria nuk ka para për rrogën e 13-të dhe shpërblimet pasi i ka harxhuar ato gjatë fushatës elektorale. “Për herë të parë pas 6 vitesh, mësues, edukatorë, mjekë, infermierë, ushtarakë, policë, nëpunës të administratës politike qendrore e vendore nuk do të marrin pagën e 13-të, por do e mbyllin vitin me 11 ose 11 paga e gjysmë” deklaroi deputeti Braçe. Ai shtoi se pensionistët, invalidët, në fshat dhe në qytet për herë të parë nuk do të marrin pensionin e 13-të, kjo sipas Braçes tregon arkën bosh të shtetit. “Qeverisë i mungojnë edhe pas rishikimit të buxhetit 242 mln usd ose mbi 450mln usd nga programi financiar i fillimvitit. Kjo nuk është “ëndërr e opozitës”, por efekti shkatërrues i keqqeverisjes së shtetit, prej pushtetit politik të Sali Berishës dhe “nën të”-së së tij,Ilir Metës”, theksoi Brace. Deputeti socialist, tha se qeveria ka harxhuar për paga në 11 muaj, mbi 1 mld lekë të reja, më shumë për punëtorë me kontrata elektorale. Vetëm në maj-qershor, muajt e zgjedhjeve, qeveria ka harxhuar për rroga mbi 10 mld lekë të reja. (e.n/BalkanWeb)