E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitën pikën e basteve, 3 në pranga

 KORçE - Një pikë e basteve sportive në qytetin e Korçës është grabitur mbrëmjen e së premtes nga tre persona të maskuar dhe me armë, të cilët shumë shpejt janë identifikuar dhe kapur nga policia. Ngjarja ndodhi në lagjen 17 në orët e vona të së premtes. Një shumë prej 120 mijë lekësh të reja ka rënë përkohësisht në duart e tre grabitësve, të cilët u larguan me shpejtësi me një autoveturë që e kishin parkuar në afërsi të lokalit. Gjatë orëve të natës, nëpërmjet hetimeve të saj policia ka mundur të identifikojë dhe vërë në pranga tre autorët e grabitjes. Me akuzën e vjedhjes së kryer në bashkëpunim, të mbajtjes së armëve luftarake pa leje, janë vënë në pranga të rinjtë nga qyteti i Korçës: Ledion Metollari, 27 vjeç, Gjergji Grazhdani, 23 vjeç, si dhe Fatjon Karafili, 25 vjeç. Burime të policisë thanë se autorët janë zbuluar nga zëri i njërit prej tyre. Duke kërcënuar punonjësit t'u dorëzonin të gjithë shumën e plotë të parave, një prej tyre është identifikuar. Ai ishte një prej klientëve të pikës së basteve. Policia bllokoi materialet e shfrytëzuara për grabitje.             g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›