Bllokohet trageti i Fierzës, 300 udhëtarë në rrezik
KUKES - Të 300 udhëtarët e tragetit të linjës Koman-Fierzë kanë kaluar 30 minuta mes jetës e vdekjes. Kjo ndodhi rreth mesditës së djeshme, kur në mes të lundrimit, trageti u bllokua. Ai ngeci në një cekëtinë, e krijuar nga prurjet e gurëve dhe inerteve në liqenin e Komanit. Një manovër e fundit që ka rezultuar e sukseshme e kapitenit të tragetit u ka shpëtuar jetën qindra udhëtarëve dhe 30 automjeteve që ishin nisur nga Komani për në Fierzë. Sërish ka qenë lumi i Salës, i cili derdh në liqen gjithë inertet që sjell nga mali. Trageti ka hasur në cekëtinë, duke rrezukuar përlasjen me faqen e malit në një ngushticë që është 50 metër gjerësi nga bregu në breg, tërsisht shkëmbor. Manovratorët kanë hedhur një paramburojë hekuri, e cila i ka rezistuar përplasjes me shkëmbin, duke evituar përplasjen fatale të tragetit. Të pranishmit në këtë udhëtim të rrezikshëm thonë se mes pasagjerëve ka nisur ankthi dhe menjëherë kanë njoftuar policinë dhe të afërmit. Më pas trageti ka mundur të hyjë sërish në ujë, duke nisur lundrimin. Lumi ka sjellë inerte të shumta dhe gati po e ndan liqenin e Lomanit në dy pjesë duke e bërë të pamundur lundrimine trageteve, ndërkohë që kjo linjë për Tropojën është jetike pasi dhe rruga tokësore nga Qafë-Mali është e bllokuar. Edhe herë të tjera në këtë pikë kritike tragetet janë gjendur në rrezik pasi niveli i ujërave nga 100 m thellësi që duhet të jetë normalisht shkon deri në 3 metra. Incidenti me tragetin ka vështirësuar akoma më tej situatën në pjesën veriore e verilindore të vendit e krijuar nga reshjet e dëborës. Situatë alarmante është krijuar dhe rreth orës 17:00, kur një ortek bore në Qafë-Mali ka bllokuar në rrugën nacionale që lidh Tiranën me Kukësin e Kosovën dhjetëra automjete. Fillimisht, vështirësi ka pasur për shkak të akullit të krijuar në rrugë gjatë natës, por orteku i rënë bllokoi për orë të tëra udhëtarët. Fatmirësisht nuk pati të lënduar në njerëz apo mjete. Në mbrëmje, në prefekturën e Kukësit u mblodh shtabi i emegjencës, ku prefekti Elez Maci kërkoi ndihmën e policisë dhe të ushtrisë për të përballuar situatën. Një autobus me studentë që udhëtonin për në Kukës nga Tirana rezultoi në mbrëmje i bllokuar në Qafë-Shllak. Në drejtim të zonës u nisën grupet e ndihmës për të bërë tërheqjen e tij. Probleme ka pasur dhe në rrugët rurale, ku shumica e 24 komunave në Qarkun e Kukësit janë të izoluara. Të bllokuara janë rrugët nacionale Kukës-Dibër, Kukës Shishtavec, Krumë Bajram Curri, Bajram Curri-Qafë Mali. j.h