Rrjedha e lumit merr 13-vjeçaren
VLORE - Rrjedha e lumit Shushicë merr 13-vjeçarja. Bashkë me të vëllanë 15 vjeç ajo kishte hipur në kalë për të kapërcyer në anën tjetër të bregut, në fshatin Gjorm. Por lumi i ka marrë me vete. Djali ka mundur të shpëtojë, ndërsa në ujë ka mbetur e mitura. Të dy fëmijët kanë qenë në pjesën e tokave të tyre disa minuta larg fshatit. Kur kanë nisur reshjet e shiut dhe nga frika se lumi po sillte shumë prurje ata kanë lënë punën dhe janë nisur për në shtëpi. Si gjithmonë kanë hipur mbi kalë për të kapërcyer lumin. Në momentin kur kali është futur disa metra në ujë, lumi ka sjellë një prurje të madhe uji me shkurre e gurë. Kafsha është rrëzuar bashkë me dy fëmijët. Të dy fëmijët kanë tentuar të dalin, por ka qenë tepër e vështirë për ta. Pas shumë përpjekjesh djali ka mundur të dalë në anë të lumit. E motra e tij, me inicialet E.M. është tërhequr nga rrjedha, bashkë me kalin. Ngjarja është mësuar menjëherë nga djali i cili ka njoftuar famijen e tij. Një numër i madh personash, banorë e më pas policia u nisën drejt vendit ku ndodhi fatkeqësia. Ata nuk kanë mundur që të gjejnë gjatë natës vajzën, duke kërkuar dhe ndihmën e polumbarëve. q.b