Gjirokastër, del nga shtrati lumi Drino, 6 persona rrezikuan mbytjen
GJIROKASTëR- Policia e Gjirokastrës ka shpëtuar sot nga mbytja gjashtë persona, të cilët së bashku me automjetet e tyre përfunduan në ujërat e lumit Drino. Në operacionin e shpëtimit, policia e Gjirokastrës është mbështetur dhe nga forcat e repartit zjarrfikës. Burime zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur se "tre automjetet, me të cilat udhëtonin 6 persona, përfunduan në ujërat e lumit Drino teksa po lëviznin në urën që lidh Gjirokastrën me fshatin Valare, rreth 3 kilometra larg qytetit në jug të vendit". Sipas tyre ngjarja ndodhi pas mesditës së sotme. Shirat e rrëmbyeshëm që përfshinë jugun e vendit gjatë 24 orëve të fundit nxorrën nga shtrati lumin Drino, ujërat e të cilit përmbytën nënstacionin elektrik, duke lënë pa drita prej mesnatës duke u gdhirë dita e sotme qytetin në jug të vendit. Nga informacionet rezulton se ujërat e lumit, me gjatësi 84.6 kilometra, kanë përmbytur gjithë pjesën e poshtme të qytetit të gurtë, pjesë në të cilën ndodhet dhe nënstacioni elektrik. Shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan vështirësi edhe në rrugën kombëtare që lidh Kakavijën me Tepelenën, por situata u normalizua falë ndërhyrjes se forcave të policisë së qarkullimit rrugor. (e.n/ata/BalkanWeb)