PS: Bashkëshorti i Bregut kërkoi dorëheqjen më 12 korrik

Partia Socialiste, përmes deputetes Olta Xhaçka, publikoi dje fakte të reja mbi rastin e ministres së Integrimit, Majlinda Bregu
Partia Socialiste ka paraqitur dje fakte të reja mbi skandalin "Bregu, ku mësohet se bashkëshorti i ministres së Integrimit, më 12 korrik 2010, kërkonte të niste procedurat për dhënien e dorëheqjes nga "MIA Internacional".
Ndërsa socialistët i kërkuan drejtorit të QKR dorëheqjen për shkak të manipulimit të të dhënave dhe dokumenteve zyrtare që janë bërë pikërisht në institucionin që ai drejton, PS i ka kërkuar sërish atij që të japë dorëheqjen, për të njëjtën arsye, mbështetur edhe në fakte të reja. Nga deklaratat publike të bërë nga Ministrja Bregu dhe drejtori i QKR, thuhet se bashkëshorti i ministres është dorëhequr nga kompania "MIA International" më shumë se një vit më parë.
Lidhur me këtë çështje, deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, deklaroi se jo vetëm dokumentacioni i vetë QKR dëshmon se si brenda të njëjtës ditë, dokumentet e "MIA International" u manipuluan dhe ndryshuan, por edhe dokumenti ri të cilin disponojnë dhe e publikojnë, që provon të njëjtën gjë.
"Bëhet fjalë për letrën që mban datën 12 korrik 2010, pra një muaj më parë, është e firmosur nga bashkëshorti i Ministres Majlinda Bregu, Namik Ajazi, nën cilësinë e Administratorit dhe Ortakut të shoqërisë 'MIA International'", - sqaroi Xhaçka.
Pra, nënvizoi ajo, siç pranon vetë bashkëshorti i zonjës Bregu, të paktën deri një muaj më parë, zoti Ajazi firmoste shkresa zyrtare në cilësinë e Administratorit dhe Ortakut të kompanisë.
Zyrtarja socialiste sqaroi se në brendësi të letrës në fjalë duhet se për shkak të karakterit të ngutshëm, Namik Ajazi kërkon të mbledhë ortakët e kompanisë MIA International për të dhënë dorëheqje.
Pra, nënvizoi deputetja e PS, deri përpara pak ditësh, Namik Ajazi, bashkëshorti i Majlinda Bregut, jo vetëm nuk kishte dhënë dorëheqjen, jo vetëm firmoste si administrator dhe ortak, por vetë pranon se kompania ishte aktive, dhe se zotëria në fjalë ishte në funksionet e tij të plota si administrator dhe ortak.
"Pyetja që natyrshëm ngrihet është: Cila na qenka kjo arsye emergjente, për të cilën flet bashkëshorti Ajazi dhe për të cilën kërkon mbledhjen e menjëhershme të ortakëve. A mos vallë pikërisht në ditët kur opozita denonconte koncesionet korruptive, bashkëshorti i ministres kish filluar të nuhaste se skandali i rradhës do të ishte pikërisht i tiji dhe bashkëshortes ministre?
Si ka mundësi që Drejtori i QKR, edhe pse mban të depozituar këtë shkresë, përsëri ka paturpësinë për të dalë dhe për të zbatuar urdhrin e Majlinda Bregut, sipas të cilës, bashkëshorti është dorëhequr një vit më parë?" - shtroi pyetjet zyrtarja e Partisë Socialiste.
Për socialistët, vetë dokumentacionet që gjenden pranë QKR provojnë fajësinë e drejtorit të QKR dhe gënjeshtrën e zotërisë në fjalë, por dhe të Ministres së Integrimit, Majlinda Bregu.
Deputetja Xhaçka tha se gjithçka është e qartë, drejtori ka manipuluar dokumentet zyrtarë dhe duhet të dorëhiqet një minutë e më parë dhe prokuroria nga ana e saj, që pardje, duhet të ishte në zyrën e drejtorit të QKR.
Përfshirja
"Për shkak të karakterit të ngutshëm, Namik Ajazi kërkon të mbledhë ortakët e kompanisë 'MIA International' për të dhënë dorëheqje. Pra, deri përpara pak ditësh, Namik Ajazi, bashkëshorti i Majlinda Bregut, jo vetëm nuk kishte dhënë dorëheqjen, jo vetëm firmoste si administrator dhe ortak, por vetë pranon se kompania ishte aktive, dhe se zotëria në fjalë ishte në funksionet e tij të plota si administrator dhe ortak", u shpreh Xhaçka, duke iu referuar dokumentit të publikuar ditën e djeshme nga PS.