Braçe: Zgjidhja mbahet peng nga Berisha
Deputeti i PS-së, Erion Braçe, deklaroi se opozita nuk ka hyrë në Kuvend për të bërë pazar
TIRANË - Debatet e forta për hetimin e zgjedhjeve te 28 Qershorit kanë vijuar dje deri në orët e vona të mbrëmjes. Kryeministri Sali Berisha ka replikuar gjatë me secilin prej deputetëve socialistë pavarësisht kërkesës se kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi. Durimi i ka sosur edhe deputetit të PS-së, Erion Braçe. "Kemi ardhur këtu për të mos pranuar të na fyeni dhe të mos na kërcënoni. Kemi ardhur për të kërkuar një zgjidhje ligjore dhe kushtetuese.
Do përdorim të gjitha forcat që kemi në dorë të gjitha forcat që njeh sistemi ligjor. Po e merrni fjalën tonë dhe veçanërisht kryeministri po e përkthen, po e bën plumb për të na kërcënuar ne", - tha Brace. Deputeti i PS-së i bëri thirrje kryeministrit se zgjidhjen po e mban peng vetë ai, që kërkon të bëjë pazar me hapjen e kutive. "Do doja t'i drejtohesha z. Kryeministër se po shoh se zgjidhja mbahet peng nga ai dhe nga askush tjetër në këtë sallë. Çdo gjë po buron nga ai, ndaj dhe dua t'i drejtohem atij. Z. kryeministër përdorët disa herë gjatë kësaj seancë fjalën ofertë.
Termi ofertë është term pazari dhe z. kryeministër i ka leverdisur disa herë në muajin mars për pazar, por sot nuk është kohë pazari dhe ne nuk kemi ardhur për të bërë pazar, por për të bërë ligj, ne kemi ardhur për të vendosur një standard ndërkombëtar. Hetimi i zgjedhjeve nuk përbën shkelje, por legjitimon shtetin. Z. kryeministër po u merr njerëzve lirinë për të zgjedhur, pra po u merr njerëzve lirinë. Natyrisht që kjo ka një fund. Nuk do ketë më pazar që të shpëtojë kryeministrin e vendit.
Do të ketë përpjekje të vazhdueshme për të vendosur të drejtën e votës. Pra, i takon kryeministrit të jap zgjidhjen, ndaj përgjegjësia është thjesht dhe vetëm e kryeministrit të vendit. Të largohet nga kjo rrugë që ka nisur", - tha Braçe.