Kriza politike, Bosh: Politika të bëjë lëshime

Ambasadori i OSBE-së ka ftuar palët në konflikt për një tërheqje. Ai rekomandon pak pushim jashtë Tiranës për të arritur kompromis
KUKËS - Shefi i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Robert Bosch, u ka bërë thirrje dy partive kryesore politike në Shqipëri që të arrijnë një kompromis, pasi, sipas tij, përveç kompromisit, nuk ka rrugë tjetër.
Madje, kreu i Misionit të OSBE-së u ka rekomanduar politikanëve në konflikt një pushim jashtë Tiranës, pse jo edhe në Kukës për të bërë një "retreat" (tërheqje, term i përdorur në diplomaci nga ndërkombëtarët) dhe për të arritur kompromisin. Apeli i përfaqësuesit të OSBE-së në Shqipëri është bërë pas një vizite në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Kukës ku është takuar me përfaqësues të shoqërisë civile dhe pushtetarë vendorë të Kukësit.
Thirrja e ambasadorit Bosch u pak orë përpara nisjes së seancës së parlamentit shqiptar ku në rendin e ditës ishte pikërisht diskutimi i nismës së Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit.
"Dita e 18 marsit është një ditë e rëndësishme për demokracinë në Shqipëri, por edhe për raporterët e Europës. Prandaj, unë vërtet shpresoj që të dyja partitë politike do të jenë të gatshme që të arrijnë një kompromis sot (dje) në parlament", - tha ambasadori i OSBE-së në Shqipëri.
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri ka kritikuar palët se nuk e kanë ende të qartë se çfarë është kompromisi. "Kompromis nuk do të thotë që të marrësh saktësisht atë që ti do, por do të thotë edhe të lëshosh pe, do të thotë që të arrish tjetrin në gjysmë të rrugës dhe unë shpresoj që vërtet të ndodhë sot kjo gjë në parlament", - theksoi Bosch.
Ndërkaq, kreu i OSBE-së ka kritikuar palët për mungesë serioziteti në gjetjen e një kompromisi. "Kanë qarkulluar shumë sugjerime interesante për kompromis ditët e fundit, por deri tani nuk më duket se janë marrë dhe aq seriozisht. Sigurisht që ka ende kohë, por jo edhe aq", - tha Robert Bosch. Pyetjes së nëse nuk arrihet kompromisi, çfarë do të ndodhë më tej, ambasadori i OSBE-së i është përgjigjur:
"Nuk mund të spekuloj se çfarë mund të ndodhë më tej nëse nuk arrihet kompromisi, por dua të them se nuk ka rrugë tjetër. Unë shpresoj se çfarëdo që të ndodhë, Partia Socialiste të mbetet në parlament dhe të shprehë pikërisht aty shqetësimet e saj. Sepse, nëse ke diçka për të thënë, parlamenti është vendi më ideal". Megjithatë, ambasadori Robert Bosch ka inkurajuar palët që të kenë besim tek njeri tjetri për të gjetur rrugën e kompromisit.
"Nëse vërtet kemi një kompromis real kemi vetëm fitimtarë dhe në fund të fundit fitimtarë do të jenë shqiptarët", tha ambasadori i OSBE-së. Në fund, shefi i Misionit të OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch, i ka ftuar politikanët që të shkëputen nga Tirana, duke u rekomanduar Kukësin me shpresë së pas këtij pushimi do të bëjnë një "retreat" dhe do të arrijnë kompromisin. "Në këto ambiente kaq të bukura vetëm pozitiv mund të jesh", - ka sugjeruar ambasadori Bosch, duke bërë me dorë nga mali i Gjallicës i mbuluar me borë.
Dokle: Berisha do mbajë bishtin e gomarit
TIRANË - Deputeti i PS-së, Namik Dokle, deklaroi dje në Kuvend se Ruzhdia është simbolika e masakrës elektorale të qeverisë. "Rasti i Ruzhdies është vetëm një pjesë e vogël e krimit elektoral, tashmë të vërtetuar katërçipërisht, jo vetëm në atë qendër votimi. Të zhytur në terrin elektoral, kryeministri, qeveria dhe tellallët brenda e përreth saj nuk e pranojnë dritën e transparencës, nuk pranojnë hapjen e kutive, sepse e dinë mirë çfarë kanë ato.
Ai që akuzohet për vjedhje, kur është i ndershëm, tregon xhepat! Kurse ne e kërkojmë transparencën dhe hapjen e kutive që masakra elektorale të mos përsëritet më! Një parlamentar europian e quajti të frikshme atë që ka ndodhur në Ruzhdie. Por, harta e krimit elektoral është shumë më e gjerë, shumë më e tmerrshme", - tha dje Dokle.
Ai shtoi: "Zullumet në përdorimin e pushtetit janë bërë aq të mëdha, aq të paskrupullta, sa ju duket se do të qëndroni përgjithnjë hipur mbi kalë. Por ka një rregull demokracia: ata që mendojnë se ia kanë hipur përjetësisht kalit, shumë shpejt populli i dërgon të mbajnë bishtin e gomarit!"