Bashkia shton edhe dy linja autobusësh

Kryetari Edi Rama prezantoi dje planin e bashkisë për zhvillimin e transportit publik të Tiranës
Për të gjithë qytetarët, projekti do të ekspozohet në "Pavijonin e Qelqtë" në qendër të kryeqytetit
Bashkia e Kryeqytetit prezantoi dje masterplanin për zhvillimin e transportit publik në Tiranë. Një projekt, i cili përcakton zhvillimin e transportit publik në kryeqytet, por që mbi të gjitha konsiderohet edhe si zgjidhja kryesore e trafikut të rënduar të kryeqytetit.
Ajo çfarë propozon ky masterplan për transportin e nesërm publik është përmirësimi i sistemit ekzistues të transportit publik, si dhe realizimi i rrjetit të linjave të reja të ardhshme, së bashku me sistemet e transportit që duhet të aplikohen. Kështu, brenda një dekade në kryeqytet do të ndërtohen rreth 100 km korsi të rezervuara për transportin publik.
Vç këtyre, do të ndërtohen dhe 88 km korsi të rezervuara vetëm për autobusët, me një drejtim. Kështu në Tiranë shumë shpejt do të ketë korsi të dedikuara vetëm për autobusë, korsi për biçikleta, korsi për lëvizjen e këmbësorëve dhe korsi për lëvizjen e mjeteve private. Sipas planit të bashkisë, ndërtimi i këtyre korsive të dedikuara do të ketë një rëndësi të madhe në rritjen e shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve të transportit publik.
"Duke pasur në dispozicion të gjithë hartën e projekteve që duhet të nisim dhe realizojmë zbatimin e këtij masterplani, ne kemi në dorë instrumentin që na duhet për të përballuar sfidën e rritjes së lëvizjeve në qytet.
Do të rrisim cilësinë e transportit publik, cilësinë e lëvizjes dhe cilësisë së jetës", u shpreh kryebashkiaku, Edi Rama. Korsitë e rezervuara për transportin publik do të ndikojnë në reduktimin e trafikut me mjete private, ofrojnë më shumë siguri, do të ulin koston e shërbimit. Të gjitha këto do të sjellin respektimin e orareve të shërbimit dhe të frekuencës kohore.
Deri në vitin 2020, Bashkia ka premtuar se do të shtojë dhe do të modifikojë plot gjashtë linja autobusësh. Kështu parashikohet që të shtohen linjat në formë e unazës brenda kryeqytetit, ndërsa një pjesë e linjave ekzistuese do të zgjaten deri në ekstremet e mundshme.
Një tjetër mundësi është edhe orientimi për shtrirjen e shërbimit në të ashtuquajturin modeli "derë më derë". Në këtë kuadër vetëm për vitin 2010-11-të, kryeqytetit do t'i shtohen edhe dy linja të reja të transportit publik.
Për sa i përket rrugëve, sipas këtij plani, kryqëzimet kryesore do të pajisen me Sistemin e prioritetit "bus", brenda vitit të ardhshëm. Ndërsa sistemet "IT System (GIS)" të transportit, të cilët mundësojnë menaxhim në kohë reale të shërbimit.
Gjithashtu, ky sistem kryen një kontroll të menjëhershëm, si dhe informim i qytetarëve për oraret, vonesat, ndalesat në kohë reale. Do të rishikohen dhe ridizajnohen stacionet "bus" për të mundësuar komfortin dhe sigurinë për qytetarët.
Po kështu do të ndryshojë edhe flota e mjeteve të transportit, duke futur mjete me të gjitha kushtet e komoditetit.
"Dëshiroj të ritheksoj se në prioritetet e vendosura nga qytetarët e Tiranës falë pyetësorit të bërë prej nesh, si çdo vit për vitin 2009, transporti ishte një ndër tre prioritetet kryesorë, krahas infrastrukturës dhe nevojës për rritje të mëtejshme të përmasës së gjelbër të kryeqytetit", - përfundoi kreu i Bashkisë.
Ky masterplan dhe projektet më kryesore të baskisë, për vitin 2010-2011-të, do të jenë të hapura për publikun, duke filluar nga muaji prill 2010-të, në "Pavijonin e Qelqit", pranë sheshit "Skënderbej". Aty qytetarët do të kenë mundësi të japin mendimet dhe komentet e tyre.
Hierarkia e rrjetit rrugor në Tiranë
• rrugë që të lejojnë të hysh në qytet (rrugët e aksesit në qytet)
• rrugë që të lejojnë të hysh në qendër të qytetit (rrugë aksesi për në qendër)
• rrugë dytësore (rrugë dytësore kryesore)
• rrugë unazore
Klasifikimi i korsive
• Korsi Bus
• Korsi biçiklete
• Lëvizja këmbësore dhe zona këmbësore
• Lëvizja e mjeteve private