Braçe çon në Kuvend projektligjin: Fermerët të mbrohen ligjërisht si ‘shoqëri tregtare’ lidhur me vonesat në pagesa

Deputeti socialist Erion Braçe, zëri i të cilët është gjithmonë në mbrojte të fermerëve, ka depozituar një projektligj në Kuvend ku kërkon që prodhuesit në fushën e Bujqësisë e Blegtorisë të mbrohen nga ligji njësoj si shoqëritë tregtare lidhur me vonesat e pagave nga ana e grumbulluesve.
Përmes këtij projektligji, ku kërkohen ndryshimet e disa neneve të ligjit aktual “Pagesat e Vonuara në detyrimet Kontraktore dhe Tregtare”, arsyetohet se mos shlyerja në kohë e detyrimeve për prodhuesit bujqësore, krijon jo vetëm një zinxhir të vonesave në pagesa, por ndikon drejtpërsëdrejti në ngadalësimin e aktivitetit bujqësor e blegtoral në sezonet vijuese.
“Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për afatet dhe mënyrën e llogaritjes së kamatave ligjore për pagesat e vonuara, në rastet e furnizimit me mallra apo shërbime nga ana e ndërmarrjeve tregtare kundrejt ndërmarrjeve te tjera tregtare ose nga ana e prodhuesve bujqësorë kundrejt ndërmarrjeve tregtare, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i duhur i tregut te brendshëm, duke nxitur aftësinë konkurruese te ndërmarrjeve tregtare dhe në veçanti të ndërmarrjeve të vogla e të mesme”, thuhet në projektligji.
Sipas deputetit socialist një nga ndryshmet është që pas togëfjalëshit “Shoqëri tregtare”, të shtohet togfjalësh edhe “Prodhuesve Bujqësor”, ndërsa thekson se këto ndryshime nuk do të kenë asnjë ndikim në buxhetin e shtetit. Me këtë projektligj Braçe kërkon të mbarojë fermerët, të cilët në rast se nuk paguhen brenda aftave do të ndërhyjë përmbarimi sipas ligjeve në fuqi.
/rtsh.al/