KE rezerva për amnistisë fiskale: Shfaq shqetësime serioze për kontrollin e pastrimit të parave

Projektligji i amnistisë fiskale do të dobësonte kontrollet e autoriteteve shqiptare kundër pastrimit të parave duke shfaqur në këtë mënyrë probleme mjaft serioze që shqetësojnë edhe vendet anëtare të BE si dhe rrezikon reputacionin e vendit. Ky ishte mesazhi i KE lidhur me propozimin e qeverisë që kërkon ta kthejë në ligj për deklarimin vullnetar të parave të emigrantëve dhe jo vetëm, deri në vlerën 2 milionë euro. Pikërisht këto ndryshime nuk janë mirëpritur nga Komisioni Europian, edhe pse qeveria ka bërë të ditur që drafi është në konsultim publik në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtarë.
Kjo deklaratë u bë gjatë takimit të 13-të të Nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë, ndërsa KE ngre problemin e importimit të parave nga rezidentët jotatimorë në Shqipëri për të përfituar nga amnistia.
“Komisioni nënvizoi shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Kjo do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, ndërkohë që do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme tatimore. Për më tepër, për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e tij dhe u kërkohet të importojnë para për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për anëtarët e BE-së. Shtetet dhe partnerët e tjerë dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin”, thuhet në njoftimin e KE.
Në projektligjin e ri të amnistisë fiskale do të lejohet që emigrantët, rezidentët, bizneset dhe shtetasit e huaj që janë tatimpagues në Shqipëri të deklarojnë vullnetarisht deri në 2 milionë euro pa pasur frikën e ndjekjes panele dhe pa qenë nevoja të verifikojnë burimet e të ardhurave të tyre.
Sipas projektligjit deklaruesit përjashtohen nga detyrimi i dhënies së informacionit se si i kanë siguruar këto pasuri dhe përjashtohet nga ndjekja penale apo sekuestrimi i tyre. Nga kjo amnisti, nuk do të përfitojnë funksionarët e lartë të shtetit, prefektët, drejtor, prokuror, gjyqtar apo edhe drejtues të policisë dhe personat me të shkuar kriminale.
/rtsh.al/